Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Sylaj Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke kërkuar përgjegjësi edhe nga sistemi që duhej ta mbronte.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka thënë se vrasja e grave nga dhuna po shndërrohet në një plagë të përsëritur në Kosovë, ndërsa ka kritikuar institucionet për dështimin në garantimin e mbrojtjes së tyre.
“Ajo kërkoi mbrojtje. Drejtësia e la në duart e vrasësit”, ka shkruar Osmani.
Sipas saj, kur një grua kërkon ndihmë nga sistemi i drejtësisë dhe përfundon e vrarë, dështimi nuk mund të konsiderohet thjesht burokratik.
“Kunati i saj e vrau Arlindën me sëpatë, por edhe sistemi që duhej ta mbronte duhet të japë llogari. Dhe kjo përgjegjësi nuk mund të varroset bashkë me viktimën”, ka deklaruar Osmani.
Në fund të reagimit, Osmani ka shprehur shpresën që tragjedi të tilla të mos përsëriten dhe që asnjë familje të mos përjetojë dhimbjen e humbjes së një gruaje nga dhuna.
Arlinda Sylaj Zekaj, 49-vjeçare, u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Ajo kishte kërkuar ndihmë nga Policia për dhunë në familje dhe ishte kthyer në shtëpi me një patrullë policore, pak minuta para se të gjendej pa shenja jete.
Për vrasjen dyshohet kunati i saj, Albert Sylaj, i cili është në kërkim nga Policia.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




