Presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar mundësinë e rikthimit të masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke bërë të ditur se për këtë çështje tashmë po zhvillohen diskutime në disa kryeqytete evropiane.

Osmani ka deklaruar se ka marrë konfirmime se rikthimi i masave ndaj Kosovës është duke u diskutuar, ndërsa si arsye përmendet Ligji për Gjykatën Speciale.
“Mua më janë konfirmuar se po diskutohet që Kosovës t’i rikthehen masat, e kjo po ndodh për arsyen e Ligjit për Specialen”, ka deklaruar Osmani.
Ajo ka theksuar se ende nuk dihet se çfarë karakteri do të kenë masat e mundshme, nëse do të jenë ekonomike apo politike.
Këto deklarata presidentja Osmani i bëri në emisionin “ADRESA” në Kanal 10, ku foli edhe për qëndrimin e saj ndaj masave të Bashkimit Evropian.
Ajo tha se, ashtu siç i ka kundërshtuar masat edhe në të kaluarën, vazhdon t’i kundërshtojë edhe tani, duke argumentuar se qytetarët e Kosovës nuk duhet të dëmtohen për shkak të veprimeve të politikanëve.
Burimi: Insajderi





