OriginAL, dy javë që lidhin të rinjtë e diasporës me rrënjët shqiptare

OriginAL, dy javë që lidhin të rinjtë e diasporës me rrënjët shqiptare

OriginAL, dy javë që lidhin të rinjtë e diasporës me rrënjët shqiptare

Për shumë të rinj shqiptarë që rriten në diasporë, vendi i origjinës jeton fillimisht në tregimet e prindërve dhe gjyshërve. OriginAL u jep mundësinë ta njohin nga afër dhe të krijojnë lidhjen e tyre me të, përmes historisë, kulturës, njerëzve dhe përvojave të përbashkëta.

Sponsor 3M Express

Çfarë do të thotë të kesh prejardhje shqiptare kur lind dhe rritesh në një vend tjetër? Si e ndërton lidhjen me një vend që e njeh kryesisht nga rrëfimet familjare apo vizitat gjatë pushimeve?

Këto pyetje qëndrojnë në themel të OriginAL, programit dyjavor që bashkon të rinj të diasporës për të njohur Kosovën dhe Shqipërinë dhe për të kuptuar më shumë rreth prejardhjes së tyre.

GERMIN dhe Global Albanians Foundation e krijuan nismën dhe e prezantuan zyrtarisht më 6 maj 2022 në Tiranë. Synimi ishte t’u ofronin brezave të rinj hapësirë për ta ndërtuar vetë raportin me rrënjët shqiptare, duke takuar njerëz, duke bërë pyetje dhe duke krijuar përvoja personale.

Mbështetja financiare e diasporës shqiptare mundëson organizimin dhe rritjen e programit. Deri sot, OriginAL ka bërë bashkë 347 të rinj, ndërsa që nga fillimi ka pranuar mbi 1,000 aplikime. Vetëm gjatë vitit 2026, të rinj nga 29 vende të botës kanë aplikuar për t’u bërë pjesë e tij.

Një përvojë që ndërthur historinë me jetën e sotme

Gjatë dy javëve, pjesëmarrësit udhëtojnë, vizitojnë vende historike, njihen me traditat dhe takojnë njerëz që kontribuojnë në komunitetet e tyre.

Vizitat në Prekaz dhe Krushë të Madhe i njohin me historinë dhe kujtesën e luftës në Kosovë. Në qytete si Prishtina, Prizreni, Gjakova, Kruja dhe Shkodra, ata eksplorojnë trashëgiminë kulturore dhe jetën e përditshme. Aktivitetet në natyrë, mbrëmjet kulturore, gatimi dhe muzika krijojnë hapësirë për të mësuar dhe për t’u afruar me njëri-tjetrin.

Programi përfshin gjithashtu vullnetarizëm me organizata lokale, diskutime me të rinj vendorë dhe vizita në qendra të inovacionit. Përmes këtyre takimeve, pjesëmarrësit njohin edhe nismat, idetë dhe mundësitë që zhvillohen sot në Kosovë e Shqipëri.

Hapësirë për të njohur edhe veten

OriginAL mirëpret të rinj nga 18 deri në 24 vjeç, të cilët kanë të paktën një prind ose gjysh me prejardhje shqiptare dhe kanë jetuar në diasporë pas moshës 13-vjeçare.

Njohja e përsosur e shqipes nuk përbën kusht për pjesëmarrje. Programi vlerëson kureshtjen, motivimin dhe dëshirën për t’u afruar me rrënjët.

Kjo qasje u krijon hapësirë edhe të rinjve që ndihen të pasigurt për përkatësinë e tyre. Disa vijnë me frikën se nuk e flasin mjaftueshëm gjuhën ose se përvoja e tyre ndryshon shumë nga ajo e bashkëmoshatarëve. Takimi me të rinj që ndajnë pyetje dhe përvoja të ngjashme i ndihmon të flasin hapur për identitetin dhe të krijojnë miqësi përtej kufijve.

Lidhja vazhdon pas dy javësh

Sipas të dhënave të programit, mbi 90 për qind e pjesëmarrësve raportojnë një lidhje më të fortë me vendin e origjinës pas OriginAL. Për disa, përvoja ka ndikuar edhe në vendime jetësore: pesë ish-pjesëmarrës janë kthyer për të jetuar dhe punuar në Kosovë ose Shqipëri, ndërsa tre kanë marrë shtetësinë e Kosovës.

Të tjerë kanë nisur të mësojnë shqipen, janë angazhuar në komunitetet shqiptare ku jetojnë ose janë rikthyer për të vizituar vendet dhe miqtë që njohën gjatë programit.

GERMIN vazhdon komunikimin me ish-pjesëmarrësit dhe punon për t’i lidhur me mundësi vullnetarizmi, praktike profesionale, bashkëpunimi dhe punësimi, sipas interesave të tyre.

Pikërisht këto lidhje tregojnë çfarë mund të nisë gjatë dy javëve të OriginAL. Në ditët në vijim, do të sjellim historitë e disa prej të rinjve që morën pjesë në program, çfarë zbuluan për prejardhjen e tyre dhe çfarë morën me vete pas kthimit./Telegrafi/


Lexo edhe

Gani Geci mohon aksionin e njësisë speciale: Më ftuan në telefon, shkova vetë në polici

Gani Geci mohon aksionin e njësisë speciale: Më ftuan në telefon, shkova vetë në polici

Dorëzohet një ankesë për vendvotimin 2038 në Çellopek, sot vendos KSHZ-ja

Dorëzohet një ankesë për vendvotimin 2038 në Çellopek, sot vendos KSHZ-ja

Fotografi shqiptar Fadil Berisha nderohet në Vatikan me medaljen “Humanitas Magnifica”

Fotografi shqiptar Fadil Berisha nderohet në Vatikan me medaljen “Humanitas Magnifica”