Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka bërë të ditur se, së bashku me deputetë të PDK-së, LDK-së dhe Aleancës, ka iniciuar kërkesën për shkarkimin e kryetares së Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës, Neime Binaku-Isufi.

Përmes një postimi në Facebook, Mustafa ka deklaruar se kërkesa për shkarkim lidhet me disa shkelje të dyshuara ligjore, moszbatimin e vendimeve të institucioneve administrative dhe gjyqësore, si dhe përfshirjen në aktivitete politike të ndaluara me ligj.
Ai ka kritikuar edhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se ata kanë penguar diskutimin parlamentar për këtë çështje, duke votuar vazhdimisht kundër mbajtjes së saj në rendin e ditës së Komisionit për Ekonomi, transmeton Klankosova.tv.
Mustafa ka theksuar se përgjegjësia për funksionimin e ligjshëm të Autoritetit të Konkurrencës është edhe përgjegjësi e Kuvendit dhe e deputetëve që kanë për detyrë mbikëqyrjen e këtij institucioni.




