Nuk arriti t’i mbijetojë lëndimeve të rënda, ndërron jetë boksieri 31-vjeçar

Nuk arriti t’i mbijetojë lëndimeve të rënda, ndërron jetë boksieri 31-vjeçar

Nuk arriti t’i mbijetojë lëndimeve të rënda, ndërron jetë boksieri 31-vjeçar

Boksieri irlandez Lee Reeves ka vdekur në moshën 31-vjeçare, tre muaj pasi pësoi lëndime të rënda gjatë një meçi në Dublin.

Sponsor 3M Express

Lajmin e hidhur e ka konfirmuar kompania e tij promovuese, Queensberry, duke bërë të ditur se boksieri nuk ka arritur t’u mbijetojë pasojave të lëndimeve të marra në ring.

Reeves ishte përballur me bashkëkombësin Gary Cully më 1 gusht, në duelin për titullin vakant BUI Celtic në kategorinë light-welterweight, që u zhvillua në palestrën “3Arena” në Dublin.

31-vjeçari pësoi nokaut në raundin e dhjetë, ndërsa pas përfundimit të meçit u nxor nga ringut me barelë dhe u dërgua menjëherë në spital.

Gjendja e tij fillimisht ishte cilësuar si kritike, por stabile. Ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe që nga ajo kohë kishte qëndruar në koma të induktuar nga ana mjekësore.

Trajneri dhe miku i tij, Jonathan O’Brien, ka publikuar një mesazh prekës në rrjetet sociale, duke kujtuar luftën e madhe të boksierit për jetën.

“Lamtumirë bir, pusho i qetë. Luftove aq shumë deri në fund. Të duam shumë. Pusho në paqe me nënën dhe vëllain tënd që të presin në portat e parajsës. Kujdesu për motrat dhe babanë tënd, jepu forcë për ta përballuar këtë dhimbje. Të duam, Lee”, ka shkruar O’Brien.

Reeves, i njohur me nofkën “El Champo”, e kishte nisur karrierën si boksier profesionist në vitin 2018.

Gjatë karrierës së tij, ai zhvilloi 18 meçe, duke regjistruar 16 fitore. Një pjesë të madhe të fillimit të karrierës e kaloi duke boksuar në Kanada dhe Kolumbi, përpara se të fitonte vëmendje me paraqitjet e tij në Britani të Madhe dhe Irlandë.

Përballja me Gary Cully në gusht ishte një nga sfidat më të rëndësishme të karrierës së tij, por që fatkeqësisht përfundoi në tragjedi./Telegrafi/

Lexo edhe

GrowthTank 2026 sjell mbi 15 folës ndërkombëtar

GrowthTank 2026 sjell mbi 15 folës ndërkombëtar

Shpallet fajtor Hashim Thaçi për pengim për drejtësi, dënohet me 17 muaj burgim

Shpallet fajtor Hashim Thaçi për pengim për drejtësi, dënohet me 17 muaj burgim

FAZ: Kosova, një shtet pa mbrojtje dëshmitarësh dhe tentimet për ta zhbërë Specialen

FAZ: Kosova, një shtet pa mbrojtje dëshmitarësh dhe tentimet për ta zhbërë Specialen