Një anije kontejnerësh me pronësi greke është fundosur të mërkurën në Detin e Zi, pasi u godit nga tre dronë detarë pranë brigjeve të Bullgarisë. Të 18 anëtarët e ekuipazhit janë shpëtuar, ndërsa autoritetet ende nuk kanë identifikuar përgjegjësit për sulmin.

Rasti është pjesë e një serie sulmesh ndaj anijeve në pjesën perëndimore të Detit të Zi gjatë këtij muaji, duke shtuar shqetësimet për ndikimin e luftës së Rusisë në Ukrainë në sigurinë e transportit detar në rajon.
Anija CONTSHIP JET, e cila lundronte nën flamurin e Liberisë, transportonte 421 kontejnerë dhe ndodhej në zonën ekskluzive ekonomike të Bullgarisë, jashtë ujërave territoriale të këtij shteti. Ajo ishte nisur nga Haifa e Izraelit dhe po udhëtonte drejt portit të Konstancës në Rumani kur u sulmua.
Goditjet shkaktuan dëme të rënda, duke bërë që anija përfundimisht të fundosej. Në mesin e 18 anëtarëve të ekuipazhit ishin 14 shtetas filipinas dhe katër ukrainas, të cilët arritën të shpëtoheshin dhe u transportuan në mënyrë të sigurt drejt portit bullgar të Varnës, sipas kompanisë administruese Contships Management.
Qeveria bullgare ka bërë të ditur se gjatë këtij muaji të paktën gjashtë anije janë sulmuar me dronë pranë brigjeve të vendit. Sipas deklaratave të autoriteteve, dyshohet se rreth dy duzina detarësh kanë humbur jetën në këto incidente.
Përballë përshkallëzimit të situatës, Bullgaria, anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ka kërkuar ndihmë për forcimin e sigurisë përgjatë brigjeve të saj të Detit të Zi.
Komandanti i Marinës Bullgare, Kiril Mihaylov, deklaroi për televizionin kombëtar se autoritetet ishin paralajmëruar për një sulm të mundshëm nga një avion patrullimi francez, por nuk kishin arritur ta parandalonin atë.
Ndërkohë, kontrollet paraprake të zhvilluara të enjten nuk kanë evidentuar shenja të dukshme të ndotjes nga anija e fundosur. Megjithatë, ngarkesa e saj përfshinte bateri litium-jon, lëngje gërryese, acide dhe pajisje industriale, çka kërkon monitorim të mëtejshëm të zonës për të shmangur rreziqet e mundshme mjedisore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




