Gjykata ka caktuar nga një muaj paraburgim për gjashtë të dyshuarit në rastin “Heshtja”, të cilët dyshohen për përfshirje në një grup të organizuar që dyshohet se merrej me blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve.

Masa e paraburgimit është caktuar ndaj Jeton Statovcit, Gëzim Fekës, Arjanit Beqirit, Albana Xhemjali Ramadanit, Astrit Haraqijës dhe Alban Malokut.
Vendimi vjen pas seancës dëgjimore të mbajtur më 16 nëntor në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Departamentin për Krime të Rënda, ku Prokuroria kishte kërkuar caktimin e paraburgimit për të dyshuarit.
Gjatë seancës, të gjashtë të dyshuarit e kishin kundërshtuar kërkesën për paraburgim. Ata dhe mbrojtësit e tyre kishin kërkuar që ndaj tyre të mos caktohej kjo masë, duke propozuar masa më të buta, përfshirë arrestin shtëpiak.
Astrit Haraqija, përveç dyshimeve për veprat penale që lidhen me narkotikët, dyshohet edhe për mbajtje, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Sipas pretendimeve të Prokurorisë, grupi dyshohet se kishte funksionuar përmes furnizimit me narkotikë, ndarjes së tyre në sasi më të vogla dhe shpërndarjes te personat e tjerë. Hetimet për këtë rast, sipas prokurorit, kishin nisur në fund të prillit të vitit 2026.
Burimi: Insajderi





