Një ffasne në koncertin e Harry Styles u lëndua mbrëmë pasi ra nga një ballkon në katin e dytë të stadiumit Marvel në Melbourne.

Incidenti ndodhi të shtunën rreth orës 23:00, pasi koncerti mbaroi, kur një grua, sipas dëshmitarëve, ishte ulur në kangjellat e ballkonit në katin e dytë të stadiumit dhe po pozonte për një foto. Në një moment, ajo humbi ekuilibrin dhe ra disa metra më poshtë, mbi një rresht me vende bosh.
Dëshmitarët u thanë mediave australiane se e panë me mosbesim incidentin teksa zhvillohej. Një nga pjesëmarrëset në koncert, Adele Dyson, tha se po largohej nga stadiumi me vajzat e saj kur vuri re një grup njerëzish që po bënin foto në gardh.
“Ishte një fund i tmerrshëm për një koncert të bukur”, tha ajo, duke përshkruar momentin kur gruaja humbi ekuilibrin.
Shërbimet e urgjencës mbërritën në vendngjarje, ku ekipet mjekësore ekzaminuan dhe trajtuan gruan e plagosur. Ajo u transportua më pas me ambulancë në Spitalin Alfred në Melbourne.
Ambulanca e Victoria konfirmoi se gruaja pësoi lëndime në pjesën e sipërme dhe të poshtme të trupit dhe u shtrua në spital në gjendje të qëndrueshme.
Sipas mediave australiane, ajo pritet të lirohet nga spitali në ditët në vijim, ndërsa rrethanat e incidentit vazhdojnë të hetohen. /Telegrafi/





