Një eksperiment serb me shumë paqartësi: çka mund të presë Evropa tani?

Një eksperiment serb me shumë paqartësi: çka mund të presë Evropa tani?

Një eksperiment serb me shumë paqartësi: çka mund të presë Evropa tani?

Komentet e mediave perëndimore për zgjedhjet në Serbi, humbjen e autokratit Aleksandar Vuçiq dhe fitoren e “Listës Studentore”.

Sponsor 3M Express

Gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” shkruan:

Prej disa muajsh shihej qartë se lëvizja studentore në Serbi mund t’i shkaktonte telashe sundimtarit afatgjatë Aleksandar Vuçiç. Mirëpo, fakti që ajo arriti të fitonte një shumicë absolute të mandateve në zgjedhjet parlamentare të së dielës dhe ta shporrte nga pushteti partinë e Vuçiçit, kufizohet me një sensacion. “Lista Studentore” profitoi me këtë rast nga një frymë e përhapur për ndryshim. Shumë njerëz në Serbi thjesht ishin të ngopur e të lodhur nga presidenti i tyre shumëvjeçar. Atyre u kishte ardhur te hunda prania e tij e vazhdueshme mediatike, monologët me orë të tëra në kanalet televizive, paraqitjet e tij teatrale dhe sjelljen sunduese të partisë së tij.

Premtimet e lëvizjes studentore janë të qarta: Duhet të jetë një Serbi pa korrupsion. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka arritur edhe aq shumë në Kosovë, por mbetet ende i popullarizuar sepse konsiderohet i pakorruptuar. A do të funksionojë kjo recetë minimale edhe për lëvizjen studentore serbe? Së pari, institucionet shtetërore të kapura nga partia e Vuçiçit duhet të çlirohen nga ndikimi politik. Fitorja e “Listës Studentore” i ka krijuar parakushtet për këtë. Do të ishte një sukses enorm nëse kjo ia del. Më pas, nën kushte më të lira, duhet të mbahen sërish zgjedhje, transmeton Telegrafi.

Gazeta “Süddeutsche Zeitung” nënvizon:

Në Serbi tani po fillon një periudhë pasigurie. Ilija Sërdanoviq, një mjek nga Novi Sadi, kryesoi “Listën Studentore”; në të gjendeshin kryesisht profesorë, artistë apo sipërmarrës. Përpara zgjedhjeve, ai deklaroi se do t’i rikthehet profesionit të tij dhe la të hapur mundësinë nëse dëshiron të bëhet kryeministër. Dhe pavarësisht se si do të jetë e përbërë qeveria në tërësi – ajo ka përpara një detyrë kolosale: të luftojë shpejt e me efikasitet korrupsionin që ka depërtuar kudo, si dhe grupet mafioze; për më tepër, të shkatërrojë shtetin klientelist, në të cilin edhe drejtori më i fundit i një shkolle duhej të ishte anëtar i partisë në pushtet; ku mediat shtetërore si dhe televizionet private në pronësi të oligarkëve ishin thjesht dora e zgjatur e Vuçiçit, e po ashtu edhe prokuroria, policia, shërbimi sekret dhe gjykatat, deri te Gjykata Kushtetuese.

Mbetet megjithatë pikëpyetje se çfarë politike do të ndjekë qeveria e re. Kush mendon se “Lista Studentore” nuk ka një program, gabohet. Në fakt, dokumenti përmban më shumë se 50 faqe të ngjeshura me shkrim. Dhe jo gjithçka do t’ju pëlqejë partnerëve evropianë të Serbisë.

Në politikën e jashtme, për shembull, insistohet në fiksionin se Kosova i përket ende Serbisë. Theksohet jo vetëm rëndësia e BE-së, por edhe marrëdhënia me Rusinë si dhe refuzimi për të mbështetur sanksionet e BE-së kundër Moskës. Sidoqoftë, programet janë një gjë, kurse realiteti politik shpesh një tjetër. Kjo do të pasojë me shpejtësi – por për momentin, serbët kanë arsyen për të festuar siç nuk kanë pasur prej më shumë se një dekade.

Sipas gazetës zvicerane “Neue Zürcher Zeitung”:

Aq më tepër shtrohet tani pyetja se çfarë do të bëjë lëvizja studentore me pushtetin që i ka rënë në dorë dhe se si mund t’ia dalë mbanë të përmbushë pritshmëritë. Ajo donte aq shumë të shkëputej nga sistemi i deritanishëm, saqë nuk pranoi asnjë lloj aleance politike me partitë e etabluara. Me vetëdije, ajo zgjodhi të jetë heterogjene, me qëllim që të fitonte sa më shumë mbështetje të mundshme.

Ajo nuk iu shmang as toneve nacionaliste, të cilat vazhdojnë të jenë të përhapura gjerësisht në shoqërinë serbe, dhe mbeti e paqartë në politikën e jashtme. Po ashtu, me qëllim hoqi dorë nga politikanët me përvojë në radhët e saj. Kandidati i saj kryesor, Ilija Sërdanoviq, është një mjek pa asnjë përvojë politike.

Ajo që përbënte avantazh gjatë protestës dhe fushatës zgjedhore, tani mund të shndërrohet në një ngarkesë të rëndë. Vuçiqi dhe besnikët e tij kanë qenë në pushtet për gati një dekadë e gjysmë. Ata janë të rrënjosur thellë në sistemin e vjetër, i cili daton që nga shpërbërja e Jugosllavisë, luftërat e Ballkanit dhe sundimi i Sllobodan Millosheviqit. Vetëm nëse studentët dhe bashkëudhëtarët e tyre do t’ia dalin të shkatërrojnë lidhjet e vjetra, ata do të mund t’i realizojnë premtimet e tyre për t’i dhënë fund nepotizmit, për forcimin e shtetit ligjor, si dhe të sistemit arsimor dhe social./Telegrafi/

Lexo edhe

Supremja e hedh si të palejuar ankesën e Blerim Isufajt kundër largimit nga pozita e kryeprokurorit

Supremja e hedh si të palejuar ankesën e Blerim Isufajt kundër largimit nga pozita e kryeprokurorit

“Ku mundemi me thirr Gërvallen?”, Kurti s’i përgjigjet gazetares së Klanit (VIDEO)

“Ku mundemi me thirr Gërvallen?”, Kurti s’i përgjigjet gazetares së Klanit (VIDEO)

Haxhiu takon homologun nga Maqedonia e Veriut, në fokus bashkëpunimi ndërparlamentar

Haxhiu takon homologun nga Maqedonia e Veriut, në fokus bashkëpunimi ndërparlamentar

Një eksperiment serb me shumë paqartësi: çka mund të presë Evropa tani? | Momenti