Një burrë ka përplasur një ekskavator në një qendër shërbimesh qeveritare në provincën Shaanxi të Kinës, duke shkatërruar hyrjen dhe dëmtuar disa pjesë të kompleksit për afro një orë.

Ngjarja ndodhi më 9 nëntor, në Qendrën e Shërbimeve Qeveritare të Fengdong New City, në zonën e re Xixian të qytetit Xi’an, transmeton Telegrafi.
Policia ka arrestuar të dyshuarin 47-vjeçar, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar. Sipas një punonjësi të qendrës, aktivizimi i procedurave të evakuimit bëri të mundur që stafi dhe qytetarët të largoheshin në mënyrë të sigurt.
Pamjet që qarkullojnë në internet tregojnë ekskavatorin duke shkatërruar hyrjen e ndërtesës dhe duke dëmtuar pjesë të tjera të objektit.
Në ndërtesën numër 1, mjeti goditi shkallët e hyrjes, tabelën kryesore dhe dyert prej xhami. Sipas raportimeve, janë dëmtuar të paktën gjashtë pjesë të kompleksit.
Një dëshmitar u tha mediave lokale se njerëzit ishin të frikësuar dhe askush nuk tentoi të ndërhynte. Megjithatë, disa sportele të shërbimit rifilluan punën më vonë gjatë pasdites.
Sipas Al Jazeera-s, mediat lokale e kanë lidhur sulmin me një mosmarrëveshje të dyshuar për kompensimet e papaguara ndaj banorëve, shtëpitë e të cilëve ishin shembur.
Megjithatë, autoritetet nuk kanë konfirmuar zyrtarisht motivin e sulmit, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar. /Telegrafi/




