Personat e moshës së mesme dhe të moshuarit me nivele më të larta të vitaminës D në gjak flenë mesatarisht gati 20 minuta më gjatë dhe qëndrojnë më pak kohë zgjuar gjatë natës, ka zbuluar një studim i Universitetit Johns Hopkins.

Studiuesit analizuan të dhënat e 460 burrave dhe grave, me moshë mesatare rreth 71 vjeç, të cilët u ndoqën nga viti 2012 deri në vitin 2019.
Niveli i vitaminës D u mat përmes analizave të gjakut, ndërsa gjumi u monitorua me një pajisje të vendosur në kyçin e dorës.
Vitamina D
Rezultatet treguan se personat me mungesë të vitaminës D flinin mesatarisht 23 minuta më pak se ata me nivele normale.
Lidhja mes vitaminës D dhe gjumit ishte më e dukshme te afro-amerikanët, të cilët kanë më shpesh mungesë të kësaj vitamine dhe probleme me gjumin.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se studimi nuk dëshmon se vitamina D e përmirëson drejtpërdrejt gjumin, por vetëm tregon një lidhje mes tyre.
Gjithashtu, nuk u përcaktua nëse pjesëmarrësit e merrnin vitaminën D nga ushqimi, ekspozimi në diell apo suplementet.
Autorët vlerësojnë se nevojiten studime të mëtejshme për të kuptuar nëse rritja e nivelit të vitaminës D mund të ndihmojë në përmirësimin e gjumit, veçanërisht te personat e moshuar. /Telegrafi/





