Paratë që familjarët ua dërgojnë personave të burgosur në Kosovë tashmë përfundojnë në llogarinë bankare të kompanisë private MAJA HOLDING. Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ia ka besuar një konsorciumi privat jo vetëm furnizimin e kantinave, por edhe administrimin e mjeteve personale të të burgosurve, përmes një procedure ku konkurroi vetëm një ofertues.

Përpara këtij ndryshimi, mekanizmi financiar i parave të të burgosurve administrohej përmes Thesarit të Kosovës. Në shkresat e 8 janarit dhe 4 marsit 2025, Thesari kërkoi vazhdimin e përkohshëm të sistemit dhe përmendi përzgjedhjen e operatorit përmes Agjencisë Qendrore të Prokurimit (AQP). Por SHKK-ja nuk ndoqi këtë rrugë. Ajo zhvilloi një procedurë tjetër, jashtë platformës së zakonshme të prokurimit publik.
Më 16 prill 2025, SHKK-ja shpalli një tender publik prej 750 mijë eurosh për furnizimin e kantinave, ku u paraqitën gjashtë oferta. Vetëm 12 ditë më vonë, më 28 prill, institucioni publikoi një procedurë tjetër për E-Kantinën, që përfshinte edhe administrimin elektronik të depozitave dhe shpenzimeve të të burgosurve. Afati për ofertim përfundoi më 20 maj. Në këtë garë mori pjesë vetëm konsorciumi MAJA HOLDING, LIRIA dhe ANANAS-IMPEX, i cili u përzgjodh për kontratë pesëvjeçare, me mundësi vazhdimi edhe për pesë vjet. Ndërkohë, tenderi i parë, ku kishin konkurruar gjashtë ofertues, u anulua më 13 qershor.
Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) konfirmoi për Kiks Kosovën se nuk ishte konsultuar nga SHKK-ja dhe nuk e kishte monitoruar procedurën, pasi ajo nuk ishte zhvilluar sipas Ligjit për Prokurimin Publik.
Por çështja më e ndjeshme është vendi ku mbahen paratë e të burgosurve. MAJA HOLDING dhe Banka për Biznes kanë konfirmuar se depozitat ndodhen në llogarinë rrjedhëse të vetë kompanisë, jo në një llogari të identifikuar veçmas si llogari e të burgosurve, të cilën e obligonte kontrata. Operatori thotë se çdo depozitë evidentohet individualisht në platformën E-Kantina dhe se SHKK-ja ka qasje në transaksione. Kompania ka paraqitur edhe një garancion bankar prej 500 mijë eurosh në favor të SHKK-së, por nuk është sqaruar nëse kjo garanci mbulon drejtpërdrejt paratë personale të të burgosurve. Kush i mbron këto mjete nëse kompania përballet me probleme financiare?
Konsorciumi deklaron se përfiton vetëm nga shitja e produkteve dhe nuk merr komisione apo interesa nga depozitat. Banka ka konfirmuar se llogaria nuk gjeneron interes bankar për kompaninë. Megjithatë, MAJA HOLDING nuk ka pranuar të publikojë shifrat e përgjithshme të qarkullimit dhe të ardhurave, duke u thirrur në konfidencialitet financiar.
Ndërkohë, të burgosurit janë ankuar disa herë për çmimet në kantina. Në tetor 2025, pas ankesave në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan, komisioni i SHKK-së shqyrtoi çmimet e disa produkteve, përfshirë mollët dhe bananet, dhe vendosi largimin e përkohshëm të tyre nga shitja. Shqyrtime të tjera u zhvilluan gjatë vitit 2026, ndërsa në korrik u trajtuan çmimet e 37 kategorive të produkteve. Operatori thotë se asnjë ndryshim çmimi nuk bëhet pa miratimin e komisionit të SHKK-së.
Kiks Kosova kërkoi sqarime nga institucionet përgjegjëse. Ministria e Financave nuk kishte kthyer përgjigje, ndërsa SHKK-ja, ndonëse lejoi qasje në dokumente, nuk e realizoi intervistën e paralajmëruar. Dokumentet nxjerrin në pah një procedurë me vetëm një ofertues, administrimin e parave të të burgosurve në llogarinë e një kompanie private dhe ankesa të vazhdueshme për çmimet.
Kronikë e përgatitur nga Kiks Kosova:




