Nga suksesi në biznes te ftesa e ish-kryeministrit slloven: Shqiptari Driton Idrizi kandidon për Këshillin e Lubjanës

Nga suksesi në biznes te ftesa e ish-kryeministrit slloven: Shqiptari Driton Idrizi kandidon për Këshillin e Lubjanës

Nga suksesi në biznes te ftesa e ish-kryeministrit slloven: Shqiptari Driton Idrizi kandidon për Këshillin e Lubjanës

Driton Idrizi, shqiptar me prejardhje nga Gostivari, i cili prej vitesh jeton dhe vepron në Slloveni, po synon të bëhet pjesë e Këshillit të Qytetit të Lubjanës. Pas ndërtimit të karrierës profesionale në fushën e biznesit dhe marketingut, ai ka marrë ftesë nga ish-kryeministri slloven, dr. Anton Rop, për t’iu bashkuar ekipit të tij dhe për të kandiduar në zgjedhjet lokale, shkruan Telegrafi.

Sponsor 3M Express

Idrizi kishte shkuar në Slloveni në vitin 2011 për studimet master në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Lubjanës. Pas përfundimit të studimeve, ai ndërtoi karrierën e tij profesionale, duke udhëhequr departamentin e marketingut në kompaninë Iskra, ndërsa aktualisht është menaxher i marketingut në kompaninë ndërkombëtare Unimotion.

Në një intervistë për Telegrafin, Idrizi flet për rrugëtimin e tij në Slloveni, ftesën nga ish-kryeministri Anton Rop dhe kandidimin në listën “Ljubljana smo vsi” (Lubjana jemi të gjithë). Ai shpjegon edhe arsyet që e kanë shtyrë të hyjë në këtë garë, përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet lokale dhe synimet që ka në rast se zgjidhet anëtar i Këshillit të Qytetit të Lubjanës.

Intervista e plotë:

Telegrafi: Na flisni pak për veten, prejardhjen, shkollimin dhe rrugëtimin tuaj profesional. Si erdhët në Slloveni dhe si u zhvillua karriera juaj në Lubjanë?

Driton Idrizi: Përshëndetje! Së pari, dëshiroj t’ju falënderoj dhe t’ju përgëzoj për punën që bëni.

Jam Driton Idrizi, me origjinë nga Gostivari. Rrugëtimi im në Slloveni filloi në vitin 2011, kur, pas përfundimit të studimeve bachelor, u pranova në programin prestigjioz ndërkombëtar të studimeve master, International Master in Business and Organisation (IMB), pranë Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Lubjanës. Ky program sot renditet në vendin e 29-të në botë, sipas klasifikimit të Financial Times për vitin 2026, dhe prej nëntë vitesh radhazi është pjesë e 100 programeve më të mira të masterit në menaxhim në nivel botëror.

Pas përfundimit të studimeve master, dëshira ime ishte që formimin tim akademik ta zbatoja në praktikë, në sektorin privat, konkretisht në fushën e zhvillimit të biznesit dhe marketingut ndërkombëtar.

Gjatë karrierës sime kam punuar në kompani të njohura sllovene dhe ndërkombëtare, përfshirë kompaninë Iskra, ku kam udhëhequr departamentin e marketingut. Aktualisht jam menaxher i marketingut në kompaninë ndërkombëtare UNIMOTION, ku merrem me zhvillimin e strategjive të marketingut dhe zgjerimin e pranisë së kompanisë në tregjet ndërkombëtare.

Përveç angazhimit profesional, prej shumë vitesh jam aktiv edhe në jetën shoqërore, duke kontribuar në iniciativa të ndryshme për integrimin, bashkëpunimin dhe mbështetjen e komuniteteve.

Jam bashkëshort dhe baba i dy fëmijëve. Lubjana është qyteti ku kam ndërtuar karrierën dhe familjen time dhe ku po rriten fëmijët e mi. Prandaj, zhvillimi dhe e ardhmja e këtij qyteti kanë një rëndësi të veçantë për mua.

Telegrafi: Çfarë ju shtyu të hyni në politikë dhe të kandidoni për Këshillin e Qytetit të Lubjanës?

Driton Idrizi: Interesimi im për çështjet shoqërore dhe publike ka ekzistuar prej shumë vitesh. Përmes punës profesionale dhe angazhimit në aktivitete të ndryshme shoqërore, kam pasur mundësinë të njoh nga afër sfidat me të cilat përballen qytetarët. Konkretisht, vendimi për kandidaturën time erdhi pas një propozimi nga ish-kryeministri i Sllovenisë, dr. Anton Rop, për t’iu bashkuar ekipit të tij në këtë rrugëtim.

Në fillim isha pak skeptik, sepse kjo punë kërkon përgjegjësi dhe përkushtim, por duke parë vizionin dhe besimin e dr. Anton Rop dhe të ish-kryetares së Parlamentit të Sllovenisë, mag. Urška Klakočar Zupančič, jam i sigurt se kam marrë vendimin e duhur.

Vërtet, është privilegj dhe krenari për mua, si shqiptar, të kandidoj për këshilltar në Këshillin e Qytetit të Lubjanës, sepse gjithmonë kam besuar se nuk duhet të mbetemi në pozitën e vëzhguesve dhe komentuesve për çështjet që kanë të bëjnë me vendin ku jetojmë, por duhet të jemi të gatshëm të marrim përgjegjësi dhe të kontribuojmë në zgjidhjen e tyre. Për mua, politika nuk është qëllim në vetvete, por një mundësi për të kontribuar pikërisht në atë që përmenda më sipër.

Telegrafi: Pse vendosët të kandidoni në listën „Ljubljana smo vsi” (Lubjana jemi të gjithë)? Çfarë ju bashkon me këtë listë?

Driton Idrizi: Vendimi im për të kandiduar në listën „Ljubljana smo vsi” nuk lidhet vetëm me përvojën dhe vizionin e njerëzve që qëndrojnë pas saj, por mbi të gjitha me vlerat dhe qasjen që kjo listë përfaqëson. Më pëlqen ideja e një politike më të hapur, më transparente dhe më të afërt me qytetarët, ku vendimet nuk merren vetëm në zyrat e institucioneve, por ku dëgjohen edhe nevojat dhe propozimet e njerëzve që jetojnë çdo ditë në këtë qytet.

Një arsye tjetër e rëndësishme është se kjo listë ofron mundësinë që në jetën politike të përfshihen njerëz me përvoja të ndryshme profesionale dhe jetësore, të cilët vijnë nga jashtë politikës tradicionale dhe mund të sjellin ide dhe mënyra të reja të të menduarit.

Me listën „Ljubljana smo vsi” më bashkojnë vlerat e transparencës, përgjegjësisë, barazisë dhe përfshirjes së të gjithë qytetarëve, pa dallim prejardhjeje apo përkatësie. Për mua është veçanërisht e rëndësishme që çdo banor i Lubjanës të ndihet pjesë e qytetit dhe të ketë mundësi të barabarta për të kontribuar në zhvillimin e tij.

Telegrafi: Keni një përvojë të gjatë në sektorin privat dhe në kompani ndërkombëtare. Si mendoni se kjo përvojë mund t’ju ndihmojë në angazhimin tuaj politik?

Driton Idrizi: Gjatë karrierës sime në sektorin privat dhe në kompani ndërkombëtare kam fituar përvojë në menaxhim, organizim dhe komunikim.

Puna në një mjedis ndërkombëtar më ka mësuar rëndësinë e bashkëpunimit, përgjegjësisë dhe orientimit drejt rezultateve konkrete. Besoj se këto përvoja mund të jenë të dobishme edhe në politikën lokale, ku është e rëndësishme të kuptohen nevojat e qytetarëve dhe të punohet për zgjidhjen e problemeve të tyre.

Këtë përvojë dëshiroj ta sjell në Këshillin e Qytetit. Besoj se politika lokale duhet të merret me problemet e përditshme të qytetarëve dhe të ofrojë zgjidhje konkrete.

Telegrafi: Cilat janë tri prioritetet kryesore të programit tuaj zgjedhor dhe cilat probleme të qytetit synoni t’i trajtoni fillimisht?

Driton Idrizi: Programi ynë përfshin disa fusha të rëndësishme, por unë do të veçoja tri prioritete kryesore, të cilat i konsideroj thelbësore dhe që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve të Lubjanës.

1. Banimi i përballueshëm për të gjithë

Një nga problemet më të mëdha të Lubjanës është vështirësia për të siguruar një banesë, veçanërisht për të rinjtë dhe familjet e reja.

Për këtë arsye, programi ynë parasheh ndërtimin e mbi 1.500 banesave publike dhe 2.000 dhomave studentore brenda dy viteve. Qëllimi është që të rinjtë të mos detyrohen të largohen nga Lubjana për shkak të çmimeve të papërballueshme të banimit.

2. Transporti publik më efikas

Trafiku është një problem që ndikon drejtpërdrejt në kohën dhe cilësinë e jetës së qytetarëve. Lubjana përballet çdo ditë edhe me fluksin e madh të automjeteve nga komunat përreth.

Ne synojmë përmirësimin e linjave dhe shpeshtësisë së autobusëve, veçanërisht në lagjet më të largëta, lidhjen më të mirë të qytetit me rajonin përreth dhe studimin e mundësisë së rikthimit të transportit me tramvaj.

Një masë konkrete është edhe transporti publik falas deri në Qendrën Klinike Universitare (UKC), për të lehtësuar qasjen e pacientëve dhe vizitorëve.

3. Zgjidhja e problemit të parkimit në lagjet e banimit

Parkimi është një nga shqetësimet më të mëdha të përditshme të banorëve. Nuk është e pranueshme që njerëzit, pas një dite pune, të kalojnë një kohë të gjatë duke kërkuar vend parkimi pranë shtëpisë së tyre.

Programi ynë parasheh krijimin e 5.000 vendeve të reja në garazhe dhe rregullimin e sistemit të parkimit në 17 lagje të Lubjanës.

Sipas vlerësimeve të paraqitura nga dr. Anton Rop, në lagjet e banimit përreth qendrës së Lubjanës mungojnë rreth 4.000 deri në 7.000 vende parkimi.

Telegrafi: Në programin tuaj parashihet ndërtimi i mbi 1.500 banesave publike dhe 2.000 dhomave studentore brenda dy viteve. Si synoni t’i realizoni këto objektiva?

Driton Idrizi: Sigurimi i banesave me çmime të përballueshme është një nga prioritetet kryesore të programit tonë, veçanërisht për të rinjtë, studentët dhe familjet e reja.

Siç ka shpjeguar edhe dr. Anton Rop, për realizimin e këtyre objektivave kemi paraparë disa masa konkrete. Synojmë të fuqizojmë Fondin Publik të Banesave, të shfrytëzojmë më mirë tokat në pronësi të qytetit dhe të sigurojmë burime shtesë financimi përmes bashkëpunimit me shtetin dhe institucionet financiare evropiane.

Gjithashtu, synojmë që 10 deri në 20 për qind e banesave në projektet e reja të ndërtimit të jenë banesa me qira jofitimprurëse, pra me qira më të përballueshme për qytetarët.

Sa u përket 2.000 dhomave studentore, një nga masat e parashikuara është riaktivizimi i projektit të kampusit studentor në rrugën Vojkova, në lagjen Bežigrad.

Besoj se me planifikim të mirë, bashkëpunim institucional dhe menaxhim efikas të burimeve financiare, mund t’i kthejmë këto objektiva në projekte konkrete që do të përmirësojnë kushtet e banimit në Lubjanë.

Telegrafi: Nëse zgjidheni këshilltar i qytetit, cila do të jetë çështja e parë me të cilën do të merreni?

Driton Idrizi: Nëse zgjidhem këshilltar, së bashku me ekipin tonë do të fillojmë menjëherë punën për zbatimin e programit që kemi përgatitur.

Prioriteti ynë do të jetë që premtimet zgjedhore t’i shndërrojmë në projekte dhe veprime konkrete, duke filluar nga çështjet që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve, si banimi, transporti publik dhe parkimi.

Besoj se qytetarët presin rezultate dhe jo vetëm premtime. Prandaj, synimi im është të kontribuoj aktivisht në punën e ekipit dhe në realizimin e projekteve që kemi prezantuar gjatë fushatës.

Telegrafi: Sa e vështirë është për një shqiptar të përfshihet në politikën sllovene? A keni hasur vetë në vështirësi apo paragjykime gjatë këtij rrugëtimi?

Driton Idrizi: Besoj se përfshirja në politikë nuk është një rrugë e lehtë për askënd, veçanërisht për njerëzit që nuk kanë qenë më parë pjesë e politikës tradicionale.

Personalisht, ftesën e ish-kryeministrit të Sllovenisë, dr. Anton Rop, për t’iu bashkuar ekipit të tij e kam pranuar me shumë kënaqësi dhe krenari. Për mua ka qenë veçanërisht e rëndësishme që në këtë proces janë vlerësuar formimi im akademik, arritjet gjatë shkollimit, përvoja profesionale dhe angazhimi im shumëvjeçar në shoqëri.

Kjo tregon se edhe njerëzit që vijnë nga jashtë politikës tradicionale, pavarësisht prejardhjes së tyre, mund të kenë mundësi të kontribuojnë në jetën publike.

Për mua, si shqiptar që ka ardhur në Slloveni për studime dhe ka ndërtuar këtu karrierën dhe familjen, kjo kandidaturë është një nder i veçantë, por njëkohësisht edhe një përgjegjësi e madhe.

Besoj se është e rëndësishme që të gjithë qytetarët, pavarësisht prejardhjes së tyre, të kenë mundësi të barabarta për t’u përfshirë në jetën politike dhe në vendimmarrje.

Telegrafi: Si e vlerësoni përfaqësimin e shqiptarëve në politikën dhe institucionet e Sllovenisë? A mendoni se shqiptarët kanë hapësirën e duhur në vendimmarrje?

Driton Idrizi: Shqiptarët në Slloveni kanë arritur shumë në fusha të ndryshme. Ata kontribuojnë në ekonomi, në biznes, në ndërtimtari, në shërbime, në kulturë dhe në shumë fusha të tjera të jetës shoqërore.

Megjithatë, ky kontribut nuk përkthehet ende në një përfaqësim të denjë në institucionet ku merren vendimet. Unë besoj se shqiptarët meritojnë më shumë hapësirë dhe zë në vendimmarrje. Kjo nuk duhet të shihet si kërkesë për privilegje, por si kërkesë për mundësi të barabarta, përfaqësim demokratik dhe vlerësim të kontributit të tyre në shoqërinë sllovene.

Si kandidat për këshilltar në Këshillin e Qytetit të Lubjanës, dëshiroj të jem një zë aktiv për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe komunitetin shqiptar. Mendoj se është e rëndësishme që shqiptarët të jenë më të pranishëm në këshillat komunalë, në institucionet publike dhe në proceset e vendimmarrjes.

Në fund, integrimi i vërtetë nuk nënkupton vetëm të jetosh dhe të punosh në një vend, por edhe të kesh mundësi të marrësh pjesë në vendimet që ndikojnë në të ardhmen e tij.

Telegrafi: Çfarë do të bëni konkretisht për komunitetin shqiptar në Lubjanë nëse zgjidheni këshilltar? Në cilat fusha do të përqendrohet angazhimi juaj?

Driton Idrizi: Së pari, dua të theksoj se nëse zgjidhem anëtar i Këshillit të Qytetit të Lubjanës, përgjegjësia ime do të jetë ndaj të gjithë qytetarëve, pavarësisht kombësisë, prejardhjes apo përkatësisë së tyre.

Si pjesë e komunitetit shqiptar, natyrisht që i njoh nga afër edhe sfidat me të cilat përballen bashkëkombësit tanë. Do të angazhohem për komunikim më të mirë mes qytetarëve dhe institucioneve komunale, për mbështetjen e bizneseve të vogla dhe për krijimin e më shumë mundësive për të rinjtë në sport, kulturë dhe aktivitete të tjera.

Për mua është e rëndësishme që çdo qytetar të ketë mundësi të dëgjohet dhe që shqetësimet e tij të trajtohen me seriozitet.

Do të jem i hapur për komunikim, do t’i dëgjoj problemet e qytetarëve dhe do të angazhohem që ato të përcillen dhe të trajtohen nga institucionet përgjegjëse.

Telegrafi: Nëse zgjidheni në Këshillin e Qytetit, cilat rezultate konkrete synoni t’i arrini gjatë mandatit tuaj dhe si do të siguroheni që qytetarët t’ju mbajnë përgjegjës për zotimet tuaja?

Driton Idrizi: Nëse fitojmë besimin e qytetarëve, së bashku me ekipin tonë do të fillojmë menjëherë punën për zbatimin e programit që kemi hartuar.

Programi ynë përfshin shumë fusha të rëndësishme për zhvillimin e Lubjanës dhe synimi ynë është që projektet e prezantuara t’i realizojmë gjatë mandatit, duke filluar nga banimi i përballueshëm, transporti publik dhe parkimi, por edhe nga të gjitha fushat e tjera që ndikojnë në cilësinë e jetës së qytetarëve.

Për mua është e rëndësishme që politika lokale të mos mbetet vetëm te premtimet, por të përkthehet në punë dhe rezultate konkrete.

Besoj se transparenca dhe përgjegjësia janë thelbësore në politikë. Qytetarët duhet të jenë të informuar për projektet që realizohen, vendimet që merren dhe rezultatet e punës sonë.

Synimi ynë është i qartë: programin që kemi prezantuar para qytetarëve ta shndërrojmë në rezultate konkrete për Lubjanën.

Telegrafi: Cili është mesazhi juaj për shqiptarët që jetojnë në Slloveni dhe veçanërisht për të rinjtë që dëshirojnë të përfshihen në jetën publike? Çfarë mesazhi keni edhe për qytetarët që kanë të drejtë vote në këto zgjedhje?

Driton Idrizi: Mesazhi im për të gjithë shqiptarët që jetojnë në Lubjanë dhe në mbarë Slloveninë është që të jenë krenarë për prejardhjen, gjuhën dhe identitetin e tyre, por njëkohësisht të ndihen pjesë e barabartë e shoqërisë sllovene.

Personalisht, jam krenar për origjinën time shqiptare, ashtu siç jam krenar për rrugëtimin dhe jetën që kam ndërtuar në Slloveni. Shqiptarët kanë punuar shumë, kanë krijuar familje, kanë hapur biznese dhe kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e Sllovenisë. Ky kontribut meriton respekt dhe vlerësim. Prandaj, i inkurajoj të jenë më aktivë në jetën shoqërore dhe institucionale dhe të marrin pjesë në vendimet që ndikojnë në të ardhmen e tyre.

Veçanërisht dua t’u drejtohem të rinjve shqiptarë: besoni në veten tuaj, investoni në arsim dhe punoni për ëndrrat dhe qëllimet tuaja. Rruga drejt suksesit nuk është gjithmonë e lehtë. Përkundrazi, shpesh është e mbushur me sfida, sprova, sakrifica dhe net pa gjumë. Është një rrugë nëpër të cilën kam kaluar dhe vazhdoj të kaloj edhe unë, së bashku me familjen time, çdo ditë. Por, me punë, përkushtim dhe këmbëngulje, çdo pengesë mund të tejkalohet kur beson në veten tënde. Mos lejoni që vështirësitë t’ju kufizojnë.

Ruajeni identitetin tuaj dhe ecni përpara me krenari!

Në fund, apeli im është që të gjithë qytetarët me të drejtë vote të dalin në zgjedhjet lokale të dielën, më 15 nëntor 2026, dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të vendosur për të ardhmen e Lubjanës.

Unë kandidoj në listën Ljubljana smo vsi, me numrin 3, ndërsa numri im për votën preferenciale është 10./Telegrafi/

Lexo edhe

EKSKLUZIVE | Rasti i pesë turqve të arrestuar në Prizren, Sinjali siguron videon e momentit kur 44-vjeçari futet dhunshëm në automjet

EKSKLUZIVE | Rasti i pesë turqve të arrestuar në Prizren, Sinjali siguron videon e momentit kur 44-vjeçari futet dhunshëm në automjet

Gjykata merr vendim për zyrtarin e arkivit që dyshohet për keqpërdorim detyre

Gjykata merr vendim për zyrtarin e arkivit që dyshohet për keqpërdorim detyre

Gashi: Radoiçiqi nuk mund të llogarisë më në mbrojtjen e pushtetit serb

Gashi: Radoiçiqi nuk mund të llogarisë më në mbrojtjen e pushtetit serb