Nga Raiffeisen u largua pas skandalit, në TEB mban pozitë drejtuese – kush e verifikoi të kaluarën e Albion Feratit dhe çfarë garancie kanë klientët?

Nga Raiffeisen u largua pas skandalit, në TEB mban pozitë drejtuese – kush e verifikoi të kaluarën e Albion Feratit dhe çfarë garancie kanë klientët?

Nga Raiffeisen u largua pas skandalit, në TEB mban pozitë drejtuese – kush e verifikoi të kaluarën e Albion Feratit dhe çfarë garancie kanë klientët?

Çfarë duhet të ndodhë që një bankë ta vërë në pikëpyetje besueshmërinë e një punonjësi? Dhe çfarë duhet të dinë klientët kur një person, emri i të cilit përmendet në një skandal të dyshuar të cenimit të privatësisë bankare, ushtron funksion drejtues në një bankë tjetër? Këto pyetje marrin peshë pas zbulimit të Gazetës Sinjali se Albion Ferati, ish-punonjës i Raiffeisen Bank, aktualisht mban pozitën Head of Accounting në TEB Bank.

Sponsor 3M Express

Rasti lidhet me dyshimet për qasje dhe shpërndarje të paautorizuar të të dhënave bankare të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, për të cilat Prokuroria e Shtetit tashmë ka autorizuar veprime parahetimore.

Sipas Komunës së Prishtinës, një punonjës i Raiffeisen Bank kishte hyrë pa autorizim në llogarinë e Ramës dhe kishte shpërndarë të dhëna për gjendjen dhe transaksionet e tij financiare.

Komuna ka deklaruar se banka e kishte identifikuar punonjësin përgjegjës dhe e kishte larguar nga puna. Raiffeisen ka konfirmuar shqyrtimin e ankesës dhe njoftimin e autoriteteve kompetente, por nuk ka bërë publik identitetin e punonjësit apo hollësitë e masave të ndërmarra.

Ndërkohë, Gazeta Sinjali ka zbuluar se Albion Ferati, emri i të cilit është lidhur me këtë rast, aktualisht ushtron funksionin Head of Accounting në TEB Bank.

Dhe pikërisht këtu fillojnë pyetjet për të cilat publiku meriton përgjigje.

A ishte TEB në dijeni të rrethanave të largimit të Feratit nga Raiffeisen? A janë verifikuar referencat e tij profesionale dhe a është vlerësuar ndonjëherë ky rast në kuadër të procedurave të brendshme të bankës?

Po aq e rëndësishme është të sqarohet edhe kronologjia e punësimit të tij: kur është angazhuar në TEB dhe cilat kanë qenë rrethanat e këtij angazhimi?

Këto nuk janë pyetje që cenojnë të drejtën e një individi për të punuar. Janë pyetje për standardet e integritetit dhe kontrollit në një sektor ku qytetarët ua besojnë institucioneve jo vetëm paratë, por edhe informacionet më private financiare.

Nëse ndodhi me kryetarin e Prishtinës, kush i mbron qytetarët e zakonshëm?

Rasti i Përparim Ramës ka nxjerrë në pah një shqetësim që shkon përtej një emri dhe dy bankave.

Nëse të dhënat bankare të një zyrtari të lartë publik mund të bëhen objekt i qasjes së dyshuar të paautorizuar, çfarë garancish ka një qytetar i zakonshëm se transaksionet, kursimet dhe informacionet e tij personale mbeten konfidenciale?

Bankat nuk mund të kërkojnë besimin e klientëve vetëm përmes reklamave për sigurinë dhe profesionalizmin. Besimi ndërtohet edhe përmes standardeve të verifikueshme, kontrolleve të brendshme dhe përgjegjësisë kur lindin dyshime serioze për cenimin e konfidencialitetit.

Nga TEB Bank mbeten për t’u sqaruar procedurat e ndjekura për angazhimin e Feratit, verifikimi eventual i të kaluarës profesionale dhe mekanizmat që garantojnë respektimin e standardeve të sigurisë së informacionit.

Deri më tani, nuk ka të dhëna të konfirmuara se Ferati ka kryer ndonjë shkelje gjatë punës në TEB. Po ashtu, nuk është provuar përgjegjësia e tij penale për rastin në Raiffeisen dhe nuk dihet nëse TEB kishte dijeni për pretendimet përpara punësimit të tij.

Megjithatë, mungesa e një përgjegjësie penale të provuar nuk e përjashton interesin publik për transparencë mbi standardet e rekrutimit dhe të kontrollit të brendshëm në bankat komerciale.

Pyetja që mbetet është e thjeshtë: nëse bankat kërkojnë që qytetarët t’u besojnë kursimet dhe privatësinë, a nuk u detyrohen atyre të paktën përgjigje të qarta për mënyrën se si e mbrojnë këtë besim?

Burimi: Sinjali

Lexo edhe

Strategjia për apelin mblodhi deputetët, gazetarja Bellagoshi jep detajet (VIDEO)

Strategjia për apelin mblodhi deputetët, gazetarja Bellagoshi jep detajet (VIDEO)

Nis protesta gjithëkombëtare në Prishtinë, kërkohet drejtësi dhe përgjegjësi institucionale për Arlinda Zekajn

Nis protesta gjithëkombëtare në Prishtinë, kërkohet drejtësi dhe përgjegjësi institucionale për Arlinda Zekajn

Ruajtja e eposit shqiptar, Kurti takohet me albanologun Zymer Ujkan Neziri në 80-vjetorin e lindjes

Ruajtja e eposit shqiptar, Kurti takohet me albanologun Zymer Ujkan Neziri në 80-vjetorin e lindjes