Të rinjtë e gjeneratës Z po dalin në rrugë në vende të ndryshme të Evropës, duke protestuar për problemet që lidhen me financimin e arsimit, kostot e larta të banimit, vështirësitë në tregun e punës dhe mungesën e perspektivës për të ardhmen. Këto lëvizje po krijojnë sfida të mëdha për qeveritë dhe po nxjerrin në pah pakënaqësitë mes brezave.

Nga Spanja, Franca, Shqipëria e Italia, deri në Amerikën Latine dhe Azi, të rinjtë po kërkojnë ndryshime dhe më shumë përgjegjësi nga institucionet. Por a po shndërrohet kjo valë pakënaqësie qytetare edhe në ndryshime konkrete politike?
Fitorja e Listës Studentore në Serbi, ngritja e lëvizjes “Evropa Tani” në Mal të Zi dhe triumfi i Péter Magyar në Hungari tregojnë se forcat e reja politike mund të sfidojnë edhe pushtetet që kanë dominuar për vite të tëra. Ndonëse të lindura në rrethana të ndryshme, këto lëvizje kanë një element të përbashkët, pakënaqësinë me politikën tradicionale dhe kërkesën për ndryshim.
Por sa mund të shndërrohet kjo pakënaqësi në një alternativë të qëndrueshme qeverisëse?
Serbia: Nga protestat studentore te fitorja zgjedhore
Fitorja e Listës Studentore në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, më 25 tetor 2026, përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm politik në Ballkanin Perëndimor. Një lëvizje e lindur nga protestat studentore kundër korrupsionit dhe mungesës së përgjegjësisë institucionale arriti të shndërrohet në forcë fituese zgjedhore, duke sfiduar pushtetin autoritar e shumëvjeçar të Aleksandar Vuçiqit.
Sipas rezultateve preliminare, Lista Studentore pritet të sigurojë shumicën në parlamentin me 250 ulëse, ndërsa Vuçiq ka pranuar humbjen, ndërsa Ivica Daçiq nuk do të jetë as në Kuvend.
Në këto zgjedhje, shqiptarët u bashkuan dhe siguruan dy ulëse në Parlamentin e Serbisë. Mund të ishte siguruar edhe ulësja e tretë, por për shkak të pasivizimit të adresave nga ana e autoriteteve serbe, shumë shqiptarë nuk patën të drejtë vote, kryesisht në Medvegjë, por edhe në Preshevë e Bujanoc.
Megjithatë, Serbia nuk është rasti i vetëm në Evropë ku një forcë relativisht e re politike ka arritur të ndryshojë raportet e pushtetit.
Mali i Zi: Evropa Tani dhe ndryshimi përmes ekonomisë
Në Mal të Zi, lëvizja Evropa Tani, e themeluar në vitin 2022 nga Milojko Spajiq dhe Jakov Milatoviq, arriti brenda një kohe të shkurtër të bëhej forca kryesore politike në vend.
Në vitin 2023, Milatoviq fitoi zgjedhjet presidenciale ndaj Milo Gjukanoviqit, ndërsa në zgjedhjet parlamentare të qershorit, “Evropa Tani” doli e para me rreth 25.5 për qind të votave dhe 24 nga 81 mandatet.
Ndryshe nga lëvizja studentore në Serbi, suksesi i “Evropa Tani” u mbështet kryesisht në programin ekonomik, premtimet për rritjen e pagave dhe përmirësimin e standardit të jetesës.
Megjithatë, pa një shumicë absolute parlamentare, Milojko Spajiq u detyrua të formonte një qeveri koalicioni, duke dëshmuar se fitorja zgjedhore nuk garanton domosdoshmërisht liri të plotë në qeverisje. Sot, Mali i Zi synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian deri në vitin 2028.
Hungaria: Péter Magyar dhe fundi i dominimit të Orbánit
Një tjetër rast është Hungaria, ku Péter Magyar, i dalë nga rrethi politik i Fidesz-it, ndërtoi përmes partisë TISZA një alternativë ndaj Viktor Orbánit.
Në zgjedhjet parlamentare të prillit 2026, TISZA fitoi 141 nga 199 mandatet, duke i dhënë fund 16 viteve të qeverisjes së Orbánit, i cili ishte i afërt me Vuqiçin dhe me qasje pro Putinit.
Ndryshe nga Serbia, ku Lista Studentore u organizua pa një lider të vetëm, në Hungari ndryshimi u identifikua kryesisht me figurën e Magyarit.
Sipas analizave të mediave ndërkombëtare, përfshirë Reuters dhe BBC, pakënaqësia me korrupsionin, problemet ekonomike dhe raportet me Bashkimin Evropian ishin ndër temat kryesore të fushatës.
Çfarë i bashkon këto tri raste?
Serbia, Mali i Zi dhe Hungaria përfaqësojnë modele të ndryshme të ndryshimit politik.
Në Serbi, ndryshimi erdhi nga mobilizimi studentor dhe protestat qytetare; në Mal të Zi, përmes një force të re me program ekonomik, ndërsa në Hungari, përmes një alternative të organizuar rreth një figure politike që u shkëput nga establishmenti.
Megjithatë, të tri rastet kanë një element të përbashkët, pakënaqësinë e qytetarëve me pushtetin ekzistues dhe kërkesën për një alternativë.
Përvoja të ngjashme, ndonëse në rrethana të tjera, janë parë edhe në Spanjë, ku Podemos u ngrit nga klima e protestave kundër establishmentit dhe më vonë u bë pjesë e qeverisë.
Këto zhvillime tregojnë se partitë tradicionale nuk e kanë të garantuar mbështetjen e qytetarëve, edhe kur kanë dominuar skenën politike për vite të tëra.
Por suksesi zgjedhor është vetëm hapi i parë. Sfida kryesore për forcat e reja mbetet shndërrimi i premtimeve në reforma konkrete, ndërtimi i institucioneve funksionale dhe ruajtja e besimit të votuesve.
Në Serbi, kjo sfidë është veçanërisht e rëndësishme, pasi një lëvizje e lindur nga protestat duhet të dëshmojë se është e aftë të kalojë nga kërkesa për llogaridhënie te përgjegjësia e qeverisjes. Po aq përcaktuese për të ardhmen e saj politike do të jenë edhe qëndrimet dhe politikat ndaj Kosovës, marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe raportet me Rusinë./Telegrafi/.




