Orgazma nuk është thjesht një çast kënaqësie seksuale. Ajo përfaqëson një proces kompleks fiziologjik dhe emocional, gjatë të cilit aktivizohen sistemi nervor, truri, zemra dhe muskujt

Në kulmin e eksitimit seksual, organizmi përjeton ndryshime që mund të shoqërohen me kontraktime të pavullnetshme, frymëmarrje të përshpejtuar, skuqje të lëkurës dhe ndjesi të forta emocionale.
Gjinekologu dr. Sachchidananda Maiti, për portalin Metro, shpjegon se si reagon organizmi gjatë orgazmës dhe pse përjetimet ndryshojnë nga një person te tjetri.
Çfarë ndodh gjatë orgazmës te gratë?
Te gratë, klitorisi luan rol qendror në përjetimin e kënaqësisë seksuale. Ai përmban një rrjet të dendur fibrash nervore që përcjellin sinjale drejt palcës kurrizore dhe trurit.
Një studim i vitit 2023, i botuar në The Journal of Sexual Medicine, ka vlerësuar se klitorisi inervohet nga mesatarisht rreth 10.281 fibra nervore të mielinizuara. Ky vlerësim bazohet në një numër të vogël mostrash, ndërsa fibrat nervore nuk duhen ngatërruar me mbaresat nervore.
Gjatë stimulimit seksual rritet qarkullimi i gjakut në organet gjenitale, ndërsa orgazma shoqërohet me kontraktime ritmike të muskujve të dyshemesë së legenit.
Ajo mund të arrihet përmes stimulimit të klitorisit, penetrimit ose formave të tjera të stimulimit. Megjithatë, shumë gra nuk e arrijnë orgazmën vetëm përmes penetrimit.
Si reagon organizmi te burrat?
Te burrat, stimulimi i penisit dhe zonave të tjera të ndjeshme aktivizon rrugët nervore të përgjigjes seksuale.
Gjatë orgazmës ndodhin kontraktime ritmike të muskujve të legenit dhe strukturave të përfshira në ejakulim.
Megjithëse orgazma dhe ejakulimi zakonisht ndodhin së bashku, ato janë procese të ndryshme fiziologjike.
Njëkohësisht ndryshojnë frymëmarrja, rrahjet e zemrës dhe tensioni muskulor, ndërsa pas kulmit seksual zakonisht pason relaksimi.
Çfarë ndodh në tru gjatë atyre pak sekondave?
Gjatë orgazmës aktivizohen rrjete nervore që lidhen me emocionet, kënaqësinë dhe përpunimin e stimujve.
Në këtë proces marrin pjesë ndërmjetës kimikë, si dopamina dhe oksitocina, të cilët lidhen me kënaqësinë, motivimin dhe afërsinë emocionale.
Pas orgazmës, shumë njerëz ndiejnë qetësi, përgjumje ose një shkëputje të përkohshme nga mendimet e përditshme. Kjo është pjesë e rikuperimit fiziologjik.
Pse përshpejtohen rrahjet e zemrës dhe dridhen muskujt?
Gjatë eksitimit seksual dhe orgazmës rriten frekuenca e zemrës, tensioni arterial dhe ritmi i frymëmarrjes.
Muskujt e legenit kontraktohen ritmikisht, ndërsa tensioni muskulor mund të përfshijë edhe pjesë të tjera të trupit.
Për këtë arsye, disa njerëz përjetojnë dridhje në këmbë, shtrëngim të duarve, kontraktime të muskujve të fytyrës ose lëvizje të pavullnetshme.
Sipas Cleveland Clinic, këto reagime mund të jenë pjesë e përgjigjes normale fiziologjike.
A mund të shkaktojë orgazma humbje të kujtesës?
Një fenomen shumë i rrallë që mund të shfaqet pas aktivitetit seksual është amnezia globale kalimtare.
Kjo gjendje karakterizohet nga pamundësia e papritur për të krijuar kujtime të reja. Personi mund të përsërisë vazhdimisht të njëjtat pyetje.
Shkaku i saktë mbetet i paqartë, ndërsa aktiviteti seksual është identifikuar si një nga faktorët e mundshëm nxitës.
Sipas Mayo Clinic, gjendja zakonisht largohet pa pasoja të qëndrueshme, por humbja e papritur e kujtesës kërkon vlerësim urgjent për të përjashtuar sëmundje serioze.
Lot, teshtitje dhe reagime të tjera të pazakonta
Orgazma mund të shoqërohet edhe me lot, të qeshura ose, më rrallë, teshtitje. Mekanizmat e këtyre reagimeve nuk janë plotësisht të qartë.
Lotët nuk tregojnë domosdoshmërisht trishtim, megjithëse te disa persona mund të shfaqet disforia pas marrëdhënies seksuale, e karakterizuar nga mërzia ose ankthi i papritur.
Kur duhet kërkuar ndihmë mjekësore?
Shumica e ndryshimeve gjatë orgazmës janë kalimtare dhe të padëmshme.
Megjithatë, humbja e papritur e kujtesës, dhimbja e fortë dhe e menjëhershme e kokës, humbja e vetëdijes, dhimbja në gjoks ose dobësia e njërës anë të trupit kërkojnë vlerësim urgjent.
Orgazma është një përvojë ku sistemi nervor, qarkullimi i gjakut, muskujt dhe emocionet ndërveprojnë, duke shkaktuar reagime të ndryshme në të gjithë organizmin. /Telegrafi/




