Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Besianë Musmurati mbajti konferencë për media mu para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar nga ky institucion të marrë vendim që sjell ndryshime për problemin e grumbullimit të mbeturinave në kryeqytet.

Musmurati: Prishtina ka nevojë për 100 kamionë të rinj, 10 mijë kontejnerë dhe modernizimin e menaxhimit të mbeturinave
“Pikërisht këtu, në këtë institucion, duhet të merret vendimi që do të mundësonte një ndryshim rrënjësor në shërbimin e pastrimit të Prishtinës. Prishtina ka nevojë për 100 kamionë të rinj, 10 mijë kontejnerë dhe modernizimin e sistemit të menaxhimit të mbeturinave”, tha ajo.
Musmurati kërkoi nga ministri i Financave, Hekuran Murati të nënshkruajë marrëveshjen për projektin në bashkëpunim me Bankën gjermane KfW në vlerë 74 milionë euro.
Musmurati: Kërkoj nga ministri Murati që të nënshkruajë marrëveshjen 74 milionë euro për të ndihmuar ndërmarrjen “Pastrimi”
“Kërkoj nga ministri Hekuran Murati që të nënshkruajë marrëveshjen për projektin prej 74 milionë eurosh, për të ndihmuar zhvillimin e ndërmarrjes “Pastrimi”, e jo për të kontribuar në falimentimin e saj.
Javën e kaluar u jemi drejtuar edhe deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke ua dorëzuar dokumentacionin zyrtar, vendimin e Qeverisë, dokumentin e KfË-së dhe letrën e përbashkët të palëve të përfshira në projekt”, tha ajo.
Deri më tani, as Qeveria, as ministri i Financave Hekuran Murati nuk janë përgjigjur në lidhje me kërkesat e pushtetit komunal të Prishtinës për një zgjidhje të problemit të mbeturinave në kryeqytet. /kp/





