Nuk është mbajtur sot seanca e shqyrtimit fillestar ndaj Jeton Sylajt, ish-bashkëshortit të tashmë së ndjerës Arlinda Zekaj, i akuzuar për veprën penale “Kanosja”, në Gjykatën Themelore në Pejë.

Avokati i familjes së Arlinda Zekajt, Besnik R. Berisha, ka bërë të ditur se mosmbajtja e seancës erdhi pas kërkesës së tij, meqë gjatë pranimit të aktakuzës kishte evidentuar një lëshim që ai e cilësoi si skandaloz nga ana e prokurores së çështjes.
Sipas Berishës, në aktakuzë, tashmë e ndjera Arlinda Zekaj nuk ishte cilësuar si viktimë e ndjeshme.
“Arsyeja e mosmbajtjes së seancës lidhet me një kërkesë timen, pas pranimit të aktakuzës e cila ndodhi në fillim të shqyrtimit fillestar, ku kam vërejtur edhe një lëshim skandaloz të prokurores, duke mos e cilësuar tashmë të ndjerën si viktimë e ndjeshme”, deklaroi Berisha.
Avokati bëri të ditur gjithashtu se lidhur me këtë çështje u është drejtuar me kërkesë Kryeprokurorit të Shtetit dhe mekanizmave të tjerë institucionalë.
Ky zhvillim vjen në ditën kur Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Policia e Kosovës konfirmuan zgjerimin e hetimeve dhe ndalimin e katër personave në lidhje me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, përfshirë ish-vjehrrën Nurije Sylaj dhe ish-kunatin Driton Sylaj, për të cilët Sinjali raportoi ekskluzivisht.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me aktgjykim të formës së prerë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




