Kombëtarja e Kosovës është gati për sfidën e fundit dhe vendimtare të këtij viti. Nën reshje të pandërprera shiu, “Dardanët” kanë zhvilluar stërvitjen zyrtare në Dublin, në prag të përballjes së nesërme kundër Republikës së Irlandës, e vlefshme për xhiron e gjashtë dhe të fundit të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve.

Pavarësisht kushteve atmosferike, atmosfera në kampin e Kosovës ka qenë tejet pozitive, me futbollistët që u panë të fokusuar maksimalisht dhe të vendosur për ta mbyllur këtë cikël garash me kokën lart.
“Nën reshjet e shiut në Dublin, Kombëtarja e Kosovës zhvilloi stërvitjen zyrtare në prag të përballjes së nesërme me Republikën e Irlandës. Me përqendrim të plotë dhe motiv maksimal për sfidën e fundit të këtij viti në UEFA Nations League. Forca Dardanë!”, ka shkruar Federata e Futbollit të Kosovës.
Luftë e drejtpërdrejtë për vendin e dytë në grup
Ndeshja e nesërme ka peshë të madhe për të dyja kombëtaret. Kosova hyn në këtë duel me 6 pikë të grumbulluara pas pesë ndeshjeve, vetëm një pikë më shumë se Irlanda e cila numëron 5 pikë. Kjo e bën takimin në Dublin një “finale” të vogël për pozicionin e dytë në tabelë.
Kujtojmë se në duelin e parë të zhvilluar më 24 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, Kosova kishte mposhtur Irlandën me rezultat minimal 1-0, ku hero i mbrëmjes ishte golashënuesi Vedat Muriqi.
Tashmë, “Dardanët” synojnë ta përsërisin të njëjtin skenar edhe në tokën irlandeze, për ta blinduar vendin e dytë në grup dhe për ta mbyllur vitin me një tjetër rezultat të madh.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





