Në Prishtinë mbahet Konferenca e Dytë Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Bimëve, në fokus siguria ushqimore

Në Prishtinë mbahet Konferenca e Dytë Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Bimëve, në fokus siguria ushqimore

Në Prishtinë mbahet Konferenca e Dytë Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Bimëve, në fokus siguria ushqimore

Në Prishtinë është mbajtur Konferenca e Dytë Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Bimëve, e organizuar nga Fondacioni AgroDev Kosovo dhe Agro Portal, ku në fokus të diskutimeve janë sfidat në mbrojtjen e bimëve, përdorimi i produkteve për mbrojtjen e tyre dhe siguria ushqimore.

Sponsor 3M Express

Nën temën “Nga Mbrojtja e Bimëve deri te Siguria e Ushqimit: Sfidat dhe Perspektivat”, konferenca ka mbledhur ekspertë, studiues, përfaqësues institucionalë dhe profesionistë të sektorit agroushqimor nga Kosova, rajoni dhe vendet e Bashkimit Evropian.

Diskutimet përqendrohen në përdorimin e qëndrueshëm të produkteve për mbrojtjen e bimëve, kontrollin e dëmtuesve dhe harmonizimin e praktikave vendore me standardet evropiane. Një rëndësi e veçantë i kushtohet edhe lidhjes ndërmjet shëndetit të bimëve, cilësisë së produkteve bujqësore dhe sigurisë së ushqimit që konsumohet nga qytetarët.

Drejtori i Përgjithshëm i Fondacionit AgroDev Kosovo, Fatmir Selimi, tha për Telegrafin se konferenca e dytë është vazhdimësi e edicionit të parë dhe njëkohësisht dedikim për ish-drejtorin e këtij fondacioni, Naim Krasniqin.

“Konferenca e dytë është vazhdimësi i konferencës së parë që ka qenë iniciativë e Naim Krasniqit, që ka qenë drejtor i Agro Dev-it edhe në këtë mënyrë, në njëfarë mënyre, kjo konferencë është një dedikim për punën dhe angazhimin që ka pas ai jo veç në Agro Dev, por në gjithë sektorin e bujqësisë”, u shpreh Selimi.

Ai theksoi se qëllimi i konferencës është trajtimi shkencor i çështjeve që lidhen me mbrojtjen e bimëve dhe ndikimin e saj në sigurinë ushqimore.

“Qëllimi i konferencës është që t’i ngrisim çështjet e mbrojtjes së bimëve në mënyrë shkencore, në mënyrë që t’i shohim se çka po ndikon kjo domethanë mbrojtja e bimëve sa mund me ndiku në sigurinë e ushqimit, për këtë edhe e kemi lidhë këtë temë me mbrojtjen e bimëve me sigurinë ushqimit”, tha ai.

Sipas Selimit, përmes praktikave të duhura në mbrojtjen e bimëve synohet të sigurohet prodhimi i ushqimit cilësor dhe të shëndetshëm.

“Në këtë konferencë kemi diskutuar që mbrojtja e bimëve është shumë me rëndësi dhe kjo ndërlidhet shumë me sigurinë e ushqimit, në mënyrë që nëpërmjet mbrojtjes së bimëve, të arrijmë të prodhojmë ushqim të sigurt dhe të shëndoshë me standarde të mira, të cilat ndikojnë që konsumatori, më së pari kosovar, pastaj edhe regjional të konsumojnë prodhime të cilat janë të Kosovës, janë kualitative dhe janë të sigurta për konsum si për veten, si për familjet e tyre”, shtoi Selimi.

Ndërkaq, zyrtarja e projekteve në Fondacionin AgroDev, Viola Xhemajli, u shpreh e kënaqur që këtë vit po organizohet edicioni i dytë i konferencës.

“Ne jemi shumë të lumtur që sivjet mundemi ta organizojmë edhe edicionin e dytë të kësaj konference”, tha Xhemajli.

Ajo theksoi se konferenca është organizuar edhe në funksion të diskutimit për ndryshimet që kanë ndodhur në fushën e mbetjeve të pesticideve dhe mbrojtjes së bimëve në Kosovë.

“Qëllimi i kësaj konference, duke parë edhe ndryshimet të cilat kanë ndodhur me mbetjet e pesticideve si dhe me komplet mbrojtjen e bimëve në Kosovë.

Kjo konferencë mblodhi ekspertë të fushës së mbrojtjes së bimëve, profesionistë, studentë, si dhe institucione publike, donatorë, në mënyrë që të koordinohemi së bashku dhe të tregojmë sfidat dhe perspektivat e të ardhmes në këtë fushë”, përfundoi ajo.

Në konferencë ishte i pranishëm edhe Arben Myrta nga kompania Certis Belchim në Holandë, i cili vlerësoi rëndësinë e trajtimit të sigurisë ushqimore në kuadër të kësaj ngjarjeje.

“Kjo është konferenca e dytë e mbrojtjes të bimëve ndërkombëtare në Kosovë, është për t’u përgëzu nga ana profesionale edhe e prek në këtë takim një temë shumë të rëndësishme që është siguria ushqimore,e cila është një nga parakushtet për hyrjen në Bashkimin Evropian për gjithë vendet që aderojnë në të”, tha Myrta.

Ai u ndal edhe te mekanizmat e kontrollit dhe monitorimit të sigurisë ushqimore në nivel evropian.

“Sigurisht që në nivelin evropian ka ligjshmëri të përcaktuar, ka institucione që monitorimin e saj dhe sigurisht ka edhe rezultate”, bëri të ditur ai.

“Sot BE-ja renditet në zonat më të mira të globit, në të gjithë globin, për sa i përket sigurisë ushqimore”.

Myrta theksoi se Kosova dhe Shqipëria kanë ende punë për të bërë në drejtim të përmbushjes së standardeve evropiane.

“Kjo i kërkon Shqipërisë dhe Kosovës së bashku, të bëjnë punë të madhe për arritjen e këtyre standardeve”, shtoi më tej ai.

Ky edicion i Konferencës së Dytë Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Bimëve i është dedikuar Naim Krasniqit, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për kontributin e tij në zhvillimin e bujqësisë dhe avancimin e fushës së mbrojtjes së bimëve në Kosovë. /Telegrafi/

Lexo edhe

Manchester City merr goditje financiare, gjiganti amerikan tërhiqet nga marrëveshja prej 2 miliardë dollarësh

Manchester City merr goditje financiare, gjiganti amerikan tërhiqet nga marrëveshja prej 2 miliardë dollarësh

Abdixhiku: Me ndihma dhe pa investime nuk ndërtohet ekonomia e Kosovës

Abdixhiku: Me ndihma dhe pa investime nuk ndërtohet ekonomia e Kosovës

Lushtaku: Rritja e buxhetit nuk po përkthehet në mirëqenie për qytetarët

Lushtaku: Rritja e buxhetit nuk po përkthehet në mirëqenie për qytetarët