Në mbrojtje të diletantit

Në mbrojtje të diletantit

Në mbrojtje të diletantit

Një kozmopolit endacak që nuk ngec kurrë, diletanti është antiheroi i duhur për epokën tonë të hiperspecializuar.

Sponsor 3M Express

Nga: Jay Miller / aeon.co
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Pse, nga të gjithë njerëzit, mbrohet pikërisht diletanti? Në rastin më të mirë amator, në më të keqin vagabond i paqëndrueshëm: pse të interesohesh për dikë interesat e të cilit nuk janë kurrë më shumë se një hobi kalimtar? Këto janë kohë serioze – pse të merret seriozisht dikush për të cilin asgjë nuk është serioze?

[Fjalori] Merriam-Webster e përkufizon diletantin si “person i cili ka interes sipërfaqësor për një art ose një degë të dijes”. Encyclopedia.com e quan diletantin dikë që kultivon një interes “pa përkushtim apo njohuri të vërteta”. Cambridge mjaftohet me dikë kuptimi i të cilit “nuk është shumë i thellë ose serioz”. Collins na jep dikë që “duket i interesuar për një temë … por, në të vërtetë nuk di shumë për të”. Asnjëra prej tyre nuk është lavdëruese.

Ashiqare, diletanti nuk është figurë për t’u aspiruar. Asnjë universitet nuk e reklamon veten si vend ku trajnohet brezi i ardhshëm i diletantëve; asnjë revistë nuk nxjerr një numër me temën “diletanti i vitit” (përveç, ndoshta, botimit të shkëlqyer Idler). Ai – sepse diletanti historikisht dhe në imagjinatën popullore është aq shpesh një “ai” – është, në thelb, amator një rol i përcaktuar prej interesave të gjera dhe nga ekspertiza e ngushtë.

I tillë është reputacioni i diletantit, i dhënë dhe i ruajtur nga një kulturë që e trajton përkushtimin e pandarë ndaj një veprimtarie të vetme si rrugën e vetme drejt një jete me kuptim. Zgjidh diçka dhe mos iu ndajë, na thuhet. Ajo që po sfidoj nuk është aq shumë ndonjë fushatë e hapur kundër diletantizmit, sa trysnia e shpërndarë, por e pamëshirshme, për t’i ngushtuar interesat, për t’u specializuar, për të fituar ekspertizë, për të hequr dorë nga gjerësia për hir të thellësisë. E dëgjojmë në breshërinë e imperativëve për të ndjekur ëndrrat, ose për të gjetur pasionin tënd, të cilat shqiptohen në fjalimet e diplomimit, në udhëzuesit e vetëndihmës dhe në fjalime të ngjashme motivuese me zhargon korporativ. Sipas kësaj skeme, specialisti është heroi dhe diletanti është veçse një shembull paralajmërues: njeriu që nuk u përkushtua kurrë, nuk përfundoi kurrë asgjë, nuk u bë kurrë mjaftueshëm i mirë në një gjë të vetme.

Por, çfarë nëse kjo skemë i ka gjërat përmbys? Çfarë nëse lëvizja e pandërprerë e diletantit nga një gjë te tjetra nuk është mungesë kuraje, por një mënyrë tjetër dhe e mbrojtshme e ekzistencës, një mënyrë zelli eksplorues i së cilës del se është pikërisht ajo që i duhet më së shumti një bote të hiperspecializuar, të tejoptimizuar dhe tepër serioze? Atëherë diletanti do të dilte se nuk është palaço kapriçioz, por një lloj i antiheroit modern. Pikërisht ky, them unë, është diletantizmi që ia vlen të mbrohet.

Së pari, le të shqyrtojmë se si lidhet “diletanti” me disa prej koncepteve të afërta me të: amatorin, atë që merret me diçka kalimthi, njeriun e shumë zanateve e kështu me radhë. Para së gjithash, diletanti është nga natyra amator, domethënë nuk është ekspert, nuk është profesionist. Por, amatorizmi është kusht i domosdoshëm, ndonëse jo i mjaftueshëm, i diletantizmit. Çdokush mund të jetë amator në një fushë të caktuar: punimin e drurit, vrojtimin e zogjve, astronominë e kështu me radhë. Amatorizmi i diletantit shtrihet gjerësisht në disa interesa dhe priret të përqendrohet rreth krijimit dhe/ose vlerësimit të artit dhe bukurisë. Ashtu si njeriu i shumë zanateve, diletanti është amator shumëdimensional. Por, amatorizmi i diletantit zakonisht është i natyrës estetike.

Më tej, diletanti nuk është dikush që merret vetëm sipërfaqësisht me gjërat. Ai që merret sipërfaqësisht vetëm e prek sipërfaqen e interesave, ndërsa diletanti, them unë, mund të shkojë dhe shkon në thellësi – pa e ankoruar, megjithatë, ndjenjën e vetvetes te ndonjë interes i vetëm. Kjo e dallon diletantin edhe nga flâneur-i, endacaku urban i Charles Baudelaireit i cili shëtit mes asaj që ofron qyteti, provon nga gjithçka, por nuk lidhet me asgjë. Diletanti angazhohet thellësisht në interesa dhe është më shumë pjesëmarrës aktiv sesa spektator pasiv.

Në këtë aspekt, koncepti është më afër në frymë me “njeriun e Renesancës” minus përcaktimi gjinor dhe konteksti historik. Diletanti është ai që nxitet më shumë nga kënaqësia sesa nga nevoja, detyrimi profesional ose ndjekja e kredencialeve, dhe i cili kultivon me vetëdije një shumësi interesash të dallueshme, shpesh estetike, përtej një njohjeje thjesht sipërfaqësore.

Pra, një arsye për ta mbrojtur diletantin është drejtësia leksikologjike. Termi është ngarkuar padrejtësisht me një konotacion tepër negativ. Nuk ka qenë gjithmonë kështu. Duke ardhur nga fjala italiane e epokës baroke dilettante, termi fillimisht i referohej dikujt që ndiqte një interes, veçanërisht artistik, për hir të kënaqësisë ose “shijimit”. Edhe kur termi evoluoi, ai mbeti kryesisht neutral duke i dalluar entuziastët nga profesionistët në një veprimtari të caktuar. Konotacioni përçmues që njohim sot është më i vonshëm, i formësuar nga ajo që do ta quaj model i “mangësisë” në të cilin amatorizmi shihet negativisht si mungesë e diçkaje: aftësie, serioziteti, përqendrimi, ekspertize. Ky është kuptimi që ia kanë dhënë autoritetet kulturore si Theodor Adorno, i cili në vitin 1929 e hodhi poshtë diletantin si dikë “të paaftë për të vendosur çfarëdo standardi”.

Megjithatë, synimi më i rëndësishëm është ta paraqesim diletantizmin si një mënyrë jetese që ofron më shumë nga sa mund të mendojmë. Është jetë e çliruar nga specializimi, instrumentalizimi dhe llogaritja meritokratike e çdo arritjeje, si dhe nga etika protestante e punës që e sheh me dyshim kënaqësinë për hir të vetë kënaqësisë. Argumentet që e zhvlerësojnë specializimin në arsim dhe profesion janë të njohura, ashtu si edhe ato që mbrojnë formimin e gjithanshëm dhe virtytet e arteve liberale. Edhe pse e ngjashme në frymë, kjo mbrojtje e diletantizmit ka më pak të bëjë me qëllimin ose rezultatet e jetës akademike apo profesionale dhe më shumë me kalimin mendor larg trysnisë së kushtëzuar shoqërore për ta gjetur “gjënë tënde” dhe për t’iu përmbajtur asaj drejt një ndjekjeje të hapur dhe eksploruese të interesave të shumëllojshme. Rikthimi i kësaj ndjenje të eksperimentimit të kënaqshëm synon ta paraqesë diletantizmin si një mënyrë bollëku dhe jo mangësie.

Një pikënisje e mirë është eseja Mbi diletantizmin (1799) nga J W von Goethe dhe Friedrich Schiller. Ky projekt fragmentar, i papërfunduar i dyshes së famshme letrare të Gjermanisë së epokës së Vajmarit, paraqet një portret thellësisht ambivalent të diletantizmit, duke e lavdëruar diletantin në një vend për “kultivim[in] e diçkaje serioze te njeriu” dhe duke e dënuar në një vend tjetër si “plagjiator” e “të paaftë”. Megjithatë, parë në retrospektivë, trajtimi pothuajse shkencor që u bën “avantazheve” (Nutzen) dhe “disavantazheve” ose “dëmeve” (Schaden) të diletantizmit ndihmon për të dhënë një pamje të qartë të virtyteve dhe veseve të mundshme të diletantizmit sot.

Kryesorja, analiza e Goethes dhe Schillerit është e vendosur qartazi në kontekstin kulturor të klasicizmit të Vajmarit. Kjo do të thotë se, së pari, çështja e diletantit lind (ashtu si edhe në përdorimin e saj fillestar në italisht) vetëm në lidhje me artet. Ata e trajtojnë diletantin si figurë qartësisht estetike, “një dashamirës të arteve i cili dëshiron jo vetëm t’i sodisë dhe t’i shijojë ato, por edhe të marrë pjesë në krijimin e tyre”. Ky dimension estetik është zbehur (për fat të keq, mendoj unë), me kalimin e kohës, nga kuptimi i fjalës “diletant”. Por, as nuk ka nevojë të kufizohet ngushtësisht brenda shqetësimeve të shekullit XVIII se kush mund dhe kush nuk mund të quhet me të drejtë artist. Angazhimi artistik nuk është thelbësor për diletantizmin. Por, ia vlen të ripohohet, ndoshta edhe të vihet në plan të parë, kuptimi në të cilin “kënaqësia” e diletantizmit përfshin, deri në njëfarë mase, përjetimin e kënaqësisë estetike të kuptuar gjerësisht. Me fjalë të tjera, diletanti ndjek atë që Søren Kierkegaard e quante “jetë estetike”: veprimtarinë e vazhdueshme, të përditshme të vëzhgimit, vlerësimit dhe pjesëmarrjes në art dhe bukuri.

Edhe pse e rrënjosur në estetizmin klasicist, një pjesë e kritikës së Goethes dhe Schillerit ndaj diletantit tingëllon ende aktuale sot. Ata shqetësohen, për shembull, se diletanti “i kapërcen shkallët” duke kaluar tepër shkujdesur përmes procesit krijues dhe duke shpallur fitoren tepër herët. Ka diçka të vërtetë në këtë. Ngjashëm me shqetësimin e Oscar Wildeit për “sentimentalistin” në esenë e tij epistolare të vitit 1897, De Profundis, i cili “dëshiron ta ketë luksin e një emocioni pa paguar për të”, autorët shprehin kundërshtim të arsyeshëm ndaj atyre që janë të gatshëm të kalojnë radhën në ndjekje të dafinave. Përparimi fitohet me praktikë dhe ne që e kemi bërë punën kemi të drejtë ta mbrojmë atë, siç do ta dëshmojë me kënaqësi çdo terapist i trajnuar i acaruar nga sharlatanizmi që paraqitet si terapi në YouTube dhe TikTok.

Por, për shkak të idealizimit që i bëjnë “artistit të vërtetë” si mishërues të së Vërtetës dhe Bukurisë, Goethe dhe Schilleri nuk mund të mos e shohin diletantin si dikë të cilit i mungojnë si qëllimi, ashtu edhe aftësia. Për të qenë të drejtë, asnjë praktikë nuk është krejtësisht pa rregulla dhe disa praktika e lejojnë diletantizmin më pak se të tjerat (kush do të donte të jetonte në një shtëpi të ndërtuar nga një arkitekt diletant?). Por, ideja se diletanti përpiqet dhe dështon t’i ndjekë “rregullat e vërteta objektive” të artit dhe bukurisë, ashtu siç bëjnë artistët e mirëfilltë, mbështetet në supozime të vjetruara dhe eurocentrike për atë që artistët dhe diletantët po bëjnë në të vërtetë. Me fjalë të tjera, hiqeni supozimin neoklasicist dhe papritmas diletanti duket më pak si imitues dhe më shumë si krijues i çliruar. Nuk është se diletanti nuk arrin nivelin e duhur në një praktikë të caktuar, por, përkundrazi, ka një orientim tjetër ndaj saj. Në të vërtetë, qëndrimi tepër i orientuar drejt qëllimit, sidomos në fushën e zbavitjeve dhe kënaqësive, bie ndesh me vetë frymën e diletantizmit. Një pjesë e tërheqjes së tij qëndron në etosin e mungesës së një caku përfundimtar, në gatishmërinë për të bërë diçka për hir të kënaqësisë dhe jo të arritjes. Diletanti ndihet rehat në petkun e amatorit. Për diletantin, çdo natë është natë karaokeje.

Nga gjermanët tanë marrim një ide se ku gabon diletanti. Por, ata mund të na ndihmojnë edhe të bëjmë korrigjimin e nevojshëm mental: të mos e shohim diletantin si praktikues i cili aspiron të bëhet profesionist, por si dikë që zgjedh një qasje më eksperimentuese dhe eksploruese ndaj një praktike të caktuar.

Çelësi për ta parë diletantizmin si bollëk dhe jo si mangësi është të vlerësojmë ndjenjën e lirisë që ai ofron. Para së gjithash, kjo është liri negative, një liri nga kufizimet që përndryshe i lidhin praktikuesit profesionistë. Më saktësisht, është liri lëvizjeje brenda një praktike.

Së pari, diletanti ka më shumë liri për t’u përfshirë në një praktikë të caktuar. Për Goethen dhe Schillerin, një nga “përparësitë” më të rëndësishme të diletantizmit është se ai “nxit njëfarë shijeje për artin dhe e shtrin atë atje ku artisti nuk do të mund të arrinte”. Duke e përgjithësuar paksa, kjo vlen shumë edhe përtej artit: diletanti mund të shërbejë si ndërmjetës mes ekspertit dhe laikëve duke ngushtuar hendekun mes praktikës së lartë dhe kureshtjes së përditshme, duke i prezantuar praktikuesit – që përndryshe do të mbeteshin të izoluar – te një publik më i gjerë dhe duke i bërë ftesë kujtdo që përndryshe mund të ndihej i përjashtuar.

Një shembull personal. Para disa vitesh iu bashkova Transportuesve të Maleve, një grupi të çiklistëve që mblidhet të martave në mbrëmje për një xhiro nëpër Eshvil, në Karolinën e Veriut. Është xhiro “ku askush nuk lihet pas”: çiklistët presin në pika të ndryshme gjatë rrugës që të gjithë të arrijnë, sado të ngadalshëm të jenë apo sado vështirësi të kenë, ndërsa xhiroja e parë e muajit është gjithmonë një shëtitje e qetë përgjatë lumit. Kjo hapje e dallon grupin nga një kulturë çiklizmi e njohur për klikat e të përkushtuarve të cilët përpiqen me zell ta tejkalojnë njëri-tjetrin në adhurimin e sportit. Të mirëpresësh ata me më pak përvojë dhe më pak të përkushtuar duket një mënyrë më e sinqertë për ta dashur atë që pretendon se e do. Nëse biçikleta është pasioni yt, me siguri do më shumë prapanicë mbi ulëset e biçikletave. Çiklistët diletantë që paraqiten për xhirot e së martës në mbrëmje e bëjnë çiklizmin më të mirë.

Kuptimi tjetër i lirisë së diletantit përfshin lëvizshmërinë mes praktikave të ndryshme – një liri nga barrierat që i ndajnë ato. Diletanti ruan njëfarë distance ose ndarje të qëllimshme mes asaj që është dhe asaj që bën, për të jetuar jetën e një shtegtari kulturor. Piktura, kopshtaria, saldimi, bletaria, mësimi i gjuhëve, koleksionimi i librave komikë, vallëzimi, noti, grafika, ngritja e peshave, loja e pikëlbollit, pjekja e bukës, loja në harmonikë, pjekja në skarë – të gjitha janë destinacione emocionuese për t’i vizituar dhe eksploruar pa kërkuar shtetësi apo madje qëndrim të përhershëm në ndonjërin prej tyre. Diletanti është kozmopolit shtegtar, ndjenja e lirisë së të cilit gjendet në faktin se nuk ngec kurrë në një vend.

E, megjithatë, kjo lëvizshmëri është gjithashtu pjesë e një lirie pozitive për të përmbushur nevojën themelore njerëzore për të eksploruar dhe për të lënë gjurmën e vet në botë. Goethe dhe Schilleri ia pranojnë diletantit meritën për aktivizimin e kësaj shtyse të natyrshme drejt kureshtjes dhe krijimtarisë, një shtysë të cilën ata e krahasojnë me dëshirën e lindur të fëmijëve për ta imituar rrethin përmes lojës. Duke shkuar më tej, do të thosha se diletantizmi nuk ofron vetëm kënaqësinë e përmbushjes së shtysës së Homo faber-it; të krijosh dhe të eksplorosh thjesht për hir të kënaqësisë dhe kureshtjes është liri po aq e vlefshme për zbulimin e vetvetes sa çdo angazhim apo ndjekje e vetme.

Megjithatë, nga jashtë, lëvizshmëria mund të duket thjesht si mungesë përkushtimi. Pa dyshim, kjo ushqen disa nga akuzat për sipërfaqësi të cilat zakonisht i drejtohen diletantit. Të ngresh spirancën dhe të kalosh nga një interes te tjetri cilësohet si rrëshqitje mbi sipërfaqe. Po spekuloj këtu, por kritika e tillë duket e rrënjosur në etikën e punës që na thotë se investimi në interesa të caktuara duhet të japë dividendë: autoritet, besueshmëri, leje për të hyrë në hapësira të ruajtura nga rojet kulturore e kështu me radhë. Ashtu siç neoklasicisti dëshiron ta ndajë “artistin e vërtetë” nga shtiracakët, këshilla moderne “zgjidh një korsi”, ose (në mënyrë më agresive), “qëndro në korsinë tënde”, buron nga supozimet për nivelin dhe kohëzgjatjen e përkushtimit që kërkohet për ta quajtur një interes tëndin.

Diletantizmi e refuzon këtë mënyrë të të menduari kuazi-kapitalist. Territorializmi meskin që haset rëndom në hapësirat shoqërore, akademike dhe kulturore (mendoni dyqanet e disqeve, baret e koktejeve, galeritë e artit, orët e filozofisë e kështu me radhë) është i panevojshëm, por, më e rëndësishmja, bie ndesh me një interes të mirëfilltë për vetë gjënë. Një pjesë vendimtare e kalimit nga mangësia te bollëku është të mësojmë ta shohim diletantin si aset për një praktikë të caktuar dhe jo si kërcënim për të. Edhe Adorno, snobi par excellence, e pranon një version të kësaj duke argumentuar se kritikut ekspert i duhet diletanti pranë “për t’ia dëshmuar vetes se nuk është i tillë”.

Po aq vendimtare për ta bërë këtë ndryshim në mënyrën e të menduarit është ta shohim kureshtjen e diletantit si të barabartë në intensitet me atë të ekspertit, por të ndryshme. Përfytyrojeni diletantin si fëmijën e dashurisë së dy figurave filozofike shumë të ndryshme: estetikës së Kierkegaardit në Ose/Ose (1843), i cili gjen dhe kultivon interesa me një intensitet që braktiset para se të ngurtësohet në detyrim, dhe “shpirtit të lirë” të Friedrich Nietzsches, nomadit jashtëzakonisht kureshtar e këmbëlehtë, ndjekja e pareshtur e thesareve intelektuale dhe artistike të të cilit ofron një liri të thellë, ndonëse pa rrënjë. Nga Kierkegaardi, diletanti merr një neveri të lindur ndaj mërzisë (“rrënja e çdo të keqeje”), e cila kapërcehet përmes asaj që ai e quan “qarkullimi i kulturave”: ndryshimit të përhershëm të “metodës së kultivimit dhe llojeve të kulturave”. Nga Nietzsche, diletanti trashëgon refuzimin e konvencionit të ndërthurur me lëvizjen e pandërprerë, një ndjesi e “mungesës së strehës” së përhershme që e shtyn drejt një eksplorimi të pakufizuar të interesave. Mjaftueshëm i pasionuar për të shkuar në thellësi, mjaftueshëm i shkëputur për t’u larguar përfundimisht, një figurë e tillë tregon mundësinë për t’u përfshirë intensivisht në mënyra të ndryshme të të diturit, të të bërit dhe të krijuarit, por pa u kënaqur kurrë që ndjenja e vetvetes të formohet tepër fort rreth tyre.

Në një skenë të paharrueshme nga filmi i Spike Jonzeit Adaptimi (2002), gazetarja Susan Orlean (Meryl Streep), e cila shkruan një libër për hajdutin e orkideve John Laroche (Chris Cooper), njëkohësisht magjepset nga kërkimi i tij për një “orkide fantazmë” të rrallë e halucinogjene dhe mbetet e hutuar kur mëson se kjo është thjesht e fundmja në një jetë të mbushur me fiksime: breshka, fosile parahistorike, pasqyra holandeze të shekullit XIX e kështu me radhë. Si mund të shkëputet kaq papritur nga diçka në të cilën ka investuar aq shumë? Ai mund t’i përgjigjet vetëm me një anekdotë. Një dashuri e thellë dhe gjithëpërfshirëse për peshqit tropikalë mori fund papritur kur kuptoi se pasioni thjesht e kishte përfunduar ciklin e vet. “Q… peshqit”, i thotë asaj, duke ia prishur supozimin se të duash diçka do të thotë t’i qëndrosh asaj përgjithmonë.

Dallimi është se, ndryshe nga estetika e Kierkegaardit, diletanti nuk i ndërron kulturat nga dëshpërimi. Dinamizmi, shkëputja dhe kureshtja e pangopur janë përbërës të subjektivitetit të lirë dhe të plotë të diletantit, dhe jo një etapë në rrugën drejt arritjes së vetvetes. Diletanti e zgjedh jetën estetike në vend të jetës së përkushtimit që paraqet dikotomia “ose/ose” e Kierkegaardit dhe e merr plotësisht përsipër atë zgjedhje. As nuk është thjesht diletant duke u rikuperuar nga një sëmundje ekzistenciale, siç duket se është shpirti i lirë i Nietzsches. Në vend që të rrezikojë rikthimin – ose, edhe më keq, “vesin gërryes” të pesimizmit – diletantizmi është përqafim i shëndetshëm i kësaj lirie; më shumë sesa thjesht një arratisje nga sëmundja, lëvizja e diletantit është vrull i pakontrolluar drejt gjallërisë dhe fuqisë.

Në gjenet e diletantit është një kompulsion për të ndjekur pasionet, lidhur ngushtë me refuzimin për ta formësuar përgjithmonë jetën ose identitetin rreth cilitdo prej tyre. Diletanti zotëron një aftësi të veçantë për t’u zhytur thellë në një interes, pastaj për të dalë në sipërfaqe dhe për t’u zhytur në thellësitë e tjetrit – secili një eksplorim, një aventurë, por jo një projekt i përjetshëm që përcakton jetën. Pikërisht për ta mbajtur të hapur mundësinë e misionit të ardhshëm të zbulimit, diletanti refuzon çdo parim dogmatik të këmbënguljes me çdo kusht. Ndonjëherë diletanti është një hobist i përkushtuar, i përqendruar te një interes për vite me radhë; ndonjëherë një xhongler i disa projekteve që mbivendosen njëkohësisht; e ndonjëherë entuziast i njëpasnjëshëm në kërkim të risisë së radhës – ajo që i mban së bashku këto mënyra nuk është kohëzgjatja e caktuar apo ritmi i ardhjes dhe largimit, por një prirje drejt lëvizjes së pandërprerë. Talenti, energjia dhe pasioni i diletantit kanalizohen vazhdimisht në drejtime të reja. Larg së qenit mangësi, diletantizmi është kërkim i pandërprerë i bollëkut.

Jeta e diletantit, e përshkruar kështu, nuk është veçanërisht e lehtë. Është jetë e kërkimit të pandërprerë dhe e kënaqësisë kalimtare në të cilën arritja shpesh vjen pa vlerësime. Derisa gjerësia e interesave të çmohet më shumë, diletanti i sotëm do të duhet kryesisht të heqë dorë nga njohja publike dhe të kënaqet me një jetë private ndjekjesh dhe kënaqësish. Rrallëherë diletanti çmohet gjerësisht mu si i tillë. Merrni dikë si Susan Sontag, romanciere, kritike dhe aktiviste politike, vepra e gjerë e së cilës ka fituar si lëvdata për kontributet e saj jokonvencionale në jetën intelektuale të Nju-Jorkut të viteve ’60 të shekullit XX, ashtu edhe kritika për mungesë rigoroziteti, për mungesë substance. Me fjalë të tjera, një “fitore” në kolonën e diletantit shpesh vjen me asterisk – në rastin më të mirë, një fitore me kusht.

Për më tepër, diletanti nuk është as kafshë tufe; sado që dikush ndihet si pjesë e një grupi, diletanti ka të ngjarë të mbetet, disi, gjithmonë turist brenda tij. Diletanti duhet të ndihet rehat duke udhëtuar si ujk vetmitar në skajet e çdo komuniteti të organizuar rreth një interesi të përbashkët.

Jo, diletantizmi nuk është për të gjithë. Për këdo që universi e ka caktuar të ndjekë një pasion të vetëm – urime! Vazhdo në atë rrugë! Por, për ata prej nesh që shtyhen nga diçka më e afërt me frikën se mos mbetesh jashtë përballë shumëllojshmërisë dhe bollëkut të madh që bota ka për të ofruar, rruga e diletantit mund të çojë në përmirësim të vërtetë të cilësisë së jetës. Nëse guximi do të thotë të kapërcesh frikën nga fillimet e reja, pa sigurinë që të jep titulli apo një histori arritjesh për ta dëshmuar, atëherë diletantizmi mund të ketë shumëçka për të ofruar. Në fund të fundit, jo çdo kulturë bujqësore është monokulturë e mbjellë dhe e punuar për të maksimizuar prodhimin. Disa prej nesh kanë nevojë t’i kultivojnë kopshtet e veta përmes rotacionit të kulturave. Pra, mbrojtja e diletantit është thirrje për të ndjekur rrugën e degëzuar të interesave të ndryshme, drejt një jete që merr kuptim nga bollëku dhe jo nga lëvdata. /Telegrafi/

Lexo edhe

40 vite në skenë, një jetë kushtuar këngës – Muhamet Sejdiu feston sonte jubileun e madh në Gjakovë

40 vite në skenë, një jetë kushtuar këngës – Muhamet Sejdiu feston sonte jubileun e madh në Gjakovë

Zbulohet arsyeja pse Lamine Yamal nuk udhëton me Spanjën drejt Pragës – Barcelona merr vendimin

Zbulohet arsyeja pse Lamine Yamal nuk udhëton me Spanjën drejt Pragës – Barcelona merr vendimin

Shiroka-Pula priti në takim ambasadorin gjerman, diskutojnë për marrëdhëniet mes të dyja vendeve

Shiroka-Pula priti në takim ambasadorin gjerman, diskutojnë për marrëdhëniet mes të dyja vendeve