Ndonëse familjet në Kosovë shpenzojnë më shumë se gjysmën e buxhetit të tyre për ushqim dhe pije joalkoolike, kjo kategori ka peshë dukshëm më të vogël në formulën që Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) përdor për matjen e inflacionit.

Sipas të dhënave të ASK-së, ushqimi dhe pijet joalkoolike përbëjnë rreth 55 për qind të shpenzimeve të konsumit të ekonomive familjare. Megjithatë, në llogaritjen e inflacionit për vitet 2025 dhe 2026, kësaj kategorie i është dhënë peshë prej vetëm rreth 32 deri në 33 për qind.
Kjo mospërputhje mes mënyrës se si familjet i shpenzojnë paratë dhe peshës që ushqimi ka në indeksin zyrtar të inflacionit ngre pikëpyetje për saktësinë e matjes së rritjes së çmimeve.
Në raportin e fundit mujor, ASK-ja ka raportuar se inflacioni në tetor arriti në 7.1 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Për të nxjerrë këtë shifër, Agjencia mat ndryshimet e çmimeve në 13 kategori të shpenzimeve, duke filluar nga ushqimi, veshmbathja dhe banimi, deri te transporti dhe shërbimet e tjera. Secilës kategori i caktohet një peshë e caktuar në llogaritjen përfundimtare.
Por, sipas Anketës së Buxhetit të Ekonomive Familjare të vitit 2022, ushqimi dhe pijet joalkoolike përbëjnë 55 për qind të shpenzimeve të familjeve në Kosovë, ndërsa në indeksin e inflacionit pesha e tyre është shumë më e ulët.
Për ligjëruesin në Universitetin Teknologjik të Dublinit, Albian Krasniqi, ky dallim është i madh dhe kërkon shpjegim nga Agjencia e Statistikave.
Në një deklarim për Koha.net, Krasniqi ka thënë se pesha e kategorive në matjen e inflacionit nuk duhet domosdoshmërisht të jetë identike me atë të Anketës së Buxhetit të Ekonomive Familjare, por duhet t’i përcjellë përafërsisht të njëjtat trende.
“Pra është një diskrepancë e madhe në bazë të Anketës të Buxhetit të Ekonomive Familjare dhe peshës që e kanë vendosur në inflacion. Natyrisht që kjo nuk do të thotë që pesha në matjen e inflacionit të jetë e njëjtë sikur është në Anketën e Buxhetit të Ekonomive Familjare, por duhet përafërsisht të përcjellë trendet e ngjashme”, ka thënë ai.
Ndryshimi i peshave ndikon edhe në rezultatin e inflacionit. Sipas përllogaritjeve të paraqitura nga ky medium, nëse kategorive të shpenzimeve do t’u jepej pesha që kanë në shportën reale të familjeve, inflacioni në shkurt të këtij viti do të ishte 7.7 për qind, në vend të 6 për qind sa ishte raportuar zyrtarisht.
Ndërkaq, për tetorin, inflacioni i raportuar prej 7.1 për qind do të dilte 5.3 për qind po të përdorej pesha e shpenzimeve të familjeve.
Dallimi mes Kosovës dhe vendeve të rajonit është gjithashtu i theksuar. Sipas krahasimit të bërë nga mediumi në fjalë, në vendet fqinje hendeku mes pjesës së buxhetit që familjet shpenzojnë për ushqim dhe peshës së kësaj kategorie në indeksin e inflacionit sillet nga dy deri në pesë pikë përqindjeje.
Në Kosovë, ky dallim arrin në afro 23 pikë përqindjeje. Në Shqipëri, për shembull, sipas të dhënave të INSTAT-it, familjet shpenzojnë 39.6 për qind të buxhetit për ushqim, ndërsa pesha e kësaj kategorie në matjen e inflacionit është 34.1 për qind.
Koha.net ka kërkuar sqarime nga Agjencia e Statistikave lidhur me bazën e formulës së peshave, arsyet pse ushqimit i është caktuar peshë prej 32.7 për qind dhe ndikimin që kjo mund të ketë në matjen e inflacionit, por ASK-ja nuk ka kthyer përgjigje.
Edhe Krasniqi ka ngritur çështjen e mungesës së transparencës për mënyrën se si përcaktohen këto pesha.
“Mungon një doracak, një shpjegim zyrtar nga Agjencia e Statistikave pse është ulur pesha e produkteve ushqimore ndër vite. Një arsye teorike pse mund të ulet pesha e produkteve ushqimore në shportën e konsumit është sepse pagat reale dhe ekonomia po rriten. Por, në qoftë se i shikoni të dhënat, edhe vlerësimet e Bankës Botërore, është se pagat reale të përshtatura për nivelin e çmimeve janë rritur vetëm 1% në vit”, ka thënë ai.
Pesha e ushqimit në indeksin e inflacionit ka shënuar rënie të vazhdueshme gjatë viteve të fundit. Në vitin 2023 ishte 38 për qind, në vitin 2024 ra në 35 për qind, ndërsa në vitin 2025 zbriti në 32.1 për qind.
Burimi: Insajderi





