Ministri irlandez i Drejtësisë, Punëve të Brendshme dhe Migracionit, Jim O’Callaghan, ndodhet sot në Budvë të Malit të Zi, ku do të kryesojë Forumin Ministror vjetor BE-Ballkani Perëndimor për Drejtësinë dhe Punët e Brendshme.

Takimi nis sot dhe do të zhvillohet gjatë dy ditëve, me sesione që trajtojnë çështjet e Punëve të Brendshme dhe të Drejtësisë.
Irlanda aktualisht mban Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian, ndërsa ministri O’Callaghan po merr pjesë në këtë forum në cilësinë e kryesuesit të Këshillit të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme (JHA), raporton Klankosova.tv.
Në forum do të marrin pjesë ministrat e Punëve të Brendshme dhe të Drejtësisë nga gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia), si dhe përfaqësues të presidencave të ardhshme – Lituanisë dhe Greqisë, komisioneri evropian për Drejtësi, Michael McGrath, Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm, Delegacioni i BE-së në Mal të Zi dhe përfaqësues të agjencive përkatëse të BE-së.
Por, në njoftimin e qeverisë irlandeze, Kosova është e etiketuar me fusnotë me sqarimin “Ky përcaktim nuk paragjykon qëndrimet lidhur me statusin dhe është në përputhje me Rezolutën 1244/1999 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës”.


Kujtojmë se vendimi për përdorimin e fusnotës pas emrit Kosova është marrë më 24 shkurt 2012, në kuadër të dialogut teknik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel. Kjo u bë për të mundësuar pjesëmarrjen e Kosovës nëpër organizata dhe forume rajonale.
Kosovën me fusnotë e përdorin shumica e institucioneve të BE-së në dokumentet që i lëshojnë.
Ndërkaq, sipas njoftimit të qeverisë irlandeze, takimi në Budvë riafirmon përkushtimin dhe partneritetin e ngushtë ndërmjet BE-së dhe partnerëve të Ballkanit Perëndimor për çështjet që lidhen me Drejtësinë dhe Punët e Brendshme.
Temat që do të diskutohen gjatë ditës kushtuar Punëve të Brendshme përqendrohen në luftimin e krimit në hapësirën digjitale. Këtu përfshihen parandalimi i abuzimit seksual të fëmijëve në internet, si dhe zbulimi dhe hetimi i krimeve kibernetike, si mashtrimet dhe skemat mashtruese online. BE-ja dhe partnerët e Ballkanit Perëndimor do të diskutojnë gjithashtu për forcimin e menaxhimit të migracionit, azilit dhe kufijve.
Gjatë sesionit kushtuar Drejtësisë, sipas njoftimit, diskutimet do të përfshijnë aspektin gjyqësor të luftës kundër korrupsionit, përfshirë forcimin e zbulimit, parandalimit dhe pengimit të korrupsionit në sektorët kyç, duke përfshirë proceset zgjedhore.
Pjesëmarrësit do të diskutojnë gjithashtu rëndësinë e forcimit të kornizave përkatëse ligjore për promovimin e të drejtave të fëmijëve, me fokus në masat për mbrojtjen dhe mbështetjen e fëmijëve që janë viktima të veprave penale.
Para takimit, ministri O’Callaghan tha: “Pres me kënaqësi të kryesoj Forumin Ministror BE-Ballkani Perëndimor në cilësinë time si kryesues i Këshillit të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme. Ky forum ofron një mundësi të vlefshme për t’u takuar me partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor dhe, çka është e rëndësishme, ai i përqendron diskutimet tona edhe në kuadër të komunitetit më të gjerë evropian”.
“Për Irlandën, në cilësinë e Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian, mbështetja e rrugës së Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE është një prioritet kyç”, potencoi O’Callaghan. /Klankosova.tv




