Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, ka ndaluar vendosjen në treg të rreth 150 mijë lodrave për fëmijë me origjinë nga Kina.
Sipas njoftimit të IQMT-së, aksioni është realizuar gjatë ditëve të fundit në pikat doganore, në kuadër të një aktiviteti të përbashkët të mbikëqyrjes së tregut në vendet anëtare të CEFTA-s.

Gjatë kontrolleve është konstatuar se lodrat nuk i përmbushnin kërkesat themelore të përcaktuara me Rregulloren për Sigurinë e Lodrave nr. 02/2017.
IQMT ka bërë të ditur se produktet që nuk i plotësojnë standardet e sigurisë mund të paraqesin rrezik për shëndetin dhe sigurinë e fëmijëve.
Inspektorati ka paralajmëruar se do të vazhdojë kontrollet ndaj produkteve që vendosen në treg, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe garantimit të sigurisë së tyre.
Burimi: Dukagjini




