Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton se në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Policinë e Kosovës, pas zhvillimit të hetimeve, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar një (1) person me inicialet L.K. për 48 orë, për shkak se i njëjti dyshohet për kryerjen e veprave penale ‘’Fajdeja’’ nga neni 331 të KPRK-së dhe ‘’Detyrimi’’ nga neni 328 të KPRK-së.
Në kuadër të veprimeve hetimore, janë aplikuar edhe masat e veçanta hetimore, përfshirë shitjen dhe blerjen e simuluar të artikujve, shërbimeve apo sendeve, me qëllim të grumbullimit të provave lidhur me veprimtarinë e dyshuar kriminale.

Deri në këtë fazë të procedurës hetimore, dyshohet se dëmi që i është shkaktuar viktimës, tejkalon shumën mbi 50.000 euro.
Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.
Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim me AKI, Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente, mbetet e përkushtuar në luftimin, garantimin dhe sundimin e ligjit si dhe mbrojtjen e interesit publik.
Burimi: RTKLive




