Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka bërë të ditur se ende nuk ka marrë përgjigje nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës për kërkesën e saj lidhur me ndryshimet e fundit në pozitat drejtuese të këtij institucioni.

Musliu, e cila është edhe anëtare e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, ka kërkuar informata të plota dhe dokumentacion zyrtar për ndryshimet në drejtoritë, departamentet, divizionet dhe drejtoritë rajonale të Policisë.
Ajo ka kërkuar të informohet se cilët zyrtarë janë liruar nga pozitat, transferuar, emëruar apo caktuar në detyrë, si dhe nëse këto caktime janë të përkohshme apo të përhershme.
Deputetja e PDK-së kërkon gjithashtu të dijë se kush i ka propozuar dhe miratuar ndryshimet, kush i ka nënshkruar vendimet dhe cila ka qenë baza ligjore për secilin emërim, transferim apo lirim nga pozita.
Një pjesë e kërkesës së saj lidhet edhe me arsyetimin e këtyre vendimeve, përkatësisht nëse ndryshimet janë bërë mbi bazën e vlerësimeve profesionale, performancës, nevojave operative apo riorganizimit institucional.
Musliu ka kërkuar edhe kopjet e vendimeve përkatëse, me datat, numrat e protokollit dhe nënshkrimet e autoriteteve kompetente, transmeton Klankosova.tv.
Ajo ka theksuar se dokumentacioni duhet të përfshijë të gjitha ndryshimet e realizuara gjatë kësaj periudhe dhe të mos kufizohet vetëm në informacionet e publikuara në media.
Sipas Musliut, kërkesa është bërë në kuadër të përgjegjësive të saj parlamentare për mbikëqyrjen e institucioneve të sigurisë dhe bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike.




