Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shmangur dhënien e një përgjigjeje direkte lidhur me raportimet për mungesë të uniformave dhe pajisjeve për zyrtarët e Policisë së Kosovës – problem ky që raportohet se ndikoi edhe në shtyrjen e diplomimit të gjeneratës së 63-të të kadetëve policorë.

I pyetur nga gazetarët për këtë skandal, Kurti ia ka hedhur topin te dikasteri që udhëhiqet nga Xhelal Sveçla, duke deklaruar se për detaje përgjegjëse është Ministria e Punëve të Brendshme.
Në vend të sqarimit për mungesat logjistike, kryeministri zgjodhi të arsyetohet me rritjen e buxhetit.
“Unë tash do të shkoj atje dhe natyrisht është një arritje e re që Republikës së Kosovës po i shtohen edhe mbi 300 kadetë të rinj, nga të cilët rreth 30% janë gra. Sa i përket furnizimit me pajisje, me uniforma, është Ministria e Punëve të Brendshme që mund t’ua jep përgjigjen e duhur mbi atë se si shkojnë proceset, por buxheti për Policinë e Kosovës është rritur vazhdimisht dhe kurrë nuk ka pasur më shumë kujdes shtetëror e qeveritar për policinë, ushtrinë, oficerin dhe uniformën sikurse tani”, deklaroi Kurti.
Pavarësisht vonesave dhe pakënaqësive të raportuara, ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës mbahet sot nga ora 16:30, ku radhëve të institucionit kryesor të sigurisë pritet t’i bashkohen mbi 300 zyrtarë të rinj policorë.
Burimi: Sinjali



