Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, e cilësoi si të pahijshme mundësinë që një shtet anëtar i Bashkimit Evropian të shërbejë si strehë për persona të dënuar për vepra penale ose për të cilët zhvillohen procedura gjyqësore.
Mucunski u deklarua për rastin “Iva Mihajllova” gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, Juraj Blanar, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

“Me të vërtetë është e pahijshme që një vend anëtar i Bashkimit Evropian të bëhet vendstrehim për ata që ose janë të dënuar për vepra penale, ose janë persona për të cilët ka shkallë dyshimi dhe zhvillohen procedura në kuadër të gjykatave në shtet”, deklaroi Mucunski.
Megjithatë, ai theksoi se do të jetë i kujdesshëm në komentet e tij për këtë çështje, duke nënvizuar se Maqedonia e Veriut nuk dëshiron të përfshihet në debatet e brendshme politike në Bullgari.
“Do të jem i kujdesshëm këtu, sepse, në përputhje me atë që e tha edhe kryeministri para disa ditësh, nuk kemi interes t’i lejojmë vetes të bëhemi pjesë e estradës lidhur me këtë temë në Bullgari, e cila është e lidhur edhe me zgjedhjet presidenciale që janë në zhvillim në atë shtet”, tha Mucunski.




