Real Madridi triumfoi 2:1 në “El Clasico”, me Kylian Mbappen që realizoi dy gola, ndërsa organizimi i shkëlqyer defensiv ishte një prej faktorëve kryesorë të suksesit të madrilenëve.
Sipas “Sport”, kjo fitore i dha Real Madridit një avantazh të rëndësishëm në garën për titullin e La Ligës, duke e çuar në tri pikë diferencën ndaj Barcelonës.

Pavarësisht vështirësive që pati gjatë ndeshjes, Yamal mori vlerësime nga trajneri portugez, i cili theksoi se cilësitë e futbollistëve kuptohen më mirë kur i sheh nga afër, sesa përmes televizorit.
“Unë nuk e kuptoj se sa të mirë janë futbollistët derisa t’i kem përballë. Përmes televizorit më mungon perspektiva e duhur. E pashë Lamine Yamalin nga 10 metra larg dhe e kuptova cilësinë e tij”, ka deklaruar Mourinho.
Trajneri portugez e vlerësoi Yamalin si një futbollist shumë inteligjent, i cili është jashtëzakonisht i vështirë për t’u markuar.
Një nga duelet më interesante të ndeshjes ishte ai mes Marc Cucurellas dhe Yamalit. Mbrojtësi arriti ta neutralizonte në disa raste sulmuesin e Barcelonës, i cili herë pas here shfaqi shenja nervozizmi për shkak të vështirësive për të depërtuar.
Në minutën e 32-të, Yamal kërkoi nga gjyqtari Martinez Munuera ndëshkimin me karton të verdhë të Cucurellas, duke pretenduar se mbrojtësi kishte shkaktuar disa ndërhyrje të palejuara ndaj tij.
Sipas raportimit, Yamal tentoi ta provokonte kundërshtarin për të fituar një goditje dënimi dhe për ta detyruar gjyqtarin të nxirrte kartonin e verdhë. Megjithatë, Cucurella arriti ta menaxhonte situatën dhe vazhdoi të ishte i kujdesshëm në ndërhyrjet e tij.
Mourinho vlerësoi gjithashtu mënyrën se si mbrojtja e Real Madridit arriti t’ia vështirësonte lojën Barcelonës dhe ta pengonte të shfrytëzonte epërsinë numerike në disa momente të ndeshjes.
Përballja mes dy futbollistëve ka edhe një prapavijë interesante. Më herët, Yamal kishte komentuar përzgjedhjen e Cucurellas në përfaqësuesen e Spanjës, duke lënë të kuptohej se besonte se do të kishte epërsi ndaj tij në duelet mes tyre.
Megjithatë, në këtë përballje, mbrojtësi arriti ta përmbushte detyrën e tij deri në fund, pavarësisht presionit dhe vërshëllimave nga tribunat.
Një paraqitje e ngjashme e Cucurellas ishte parë edhe në përballjen e Chelseat me Barcelonën në Ligën e Kampionëve, kur ai arriti ta neutralizonte Yamalin dhe u vlerësua si lojtari më i mirë i ndeshjes.
Kështu, pavarësisht humbjes së Barcelonës, Yamal fitoi vlerësimin e Mourinhos, ndërsa Cucurella dëshmoi edhe një herë se mund të jetë një kundërshtar mjaft i vështirë për talentin e ri katalonas.
Burimi: RTKLive




