Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, deklaroi të martën se ishte tronditur nga ndërhyrja e presidentit amerikan, Donald Trump, për ta bindur kompaninë Nvidia që ta rikthente themeluesin Jensen Huang në pozitën e drejtorit ekzekutiv.

“Po, të them të drejtën, kjo më tronditi”, tha Wadephul gjatë një aktiviteti në Berlin, kur u pyet për veprimin e Trumpit. “Nuk kam parë apo vërejtur më parë një ndërhyrje të tillë të politikës në një kompani.”
Ai shtoi se kishte dyshime nëse një qasje e tillë përbënte model të mirë për të ardhmen, transmeton Telegrafi.
Huang ishte larguar nga posti i drejtorit ekzekutiv të Nvidia-s në fillim të këtij muaji, pas raportimeve për lidhje jashtëmartesore, përfshirë një me një grua që dyshohet se kishte lidhje me inteligjencën kineze. Po ashtu, ishin ngritur pikëpyetje lidhur me respektimin nga kompania të kontrolleve amerikane për eksportin e çipave të avancuar.
Të hënën, Nvidia njoftoi se bordi drejtues kishte vendosur unanimisht ta rikthente Huangun në pozitat e presidentit, drejtorit ekzekutiv dhe anëtarit të bordit. Kompania tha se vendimi ishte marrë pas konsultimeve me nivele të larta të qeverisë amerikane.
Trump më pas mori publikisht meritat për këtë vendim, duke deklaruar në një intervistë se kishte biseduar me bordin dhe se i kishte “bindur” anëtarët e tij.
Wadephul e cilësoi këtë ngjarje si një tjetër arsye për të mbrojtur sundimin e ligjit, rregullat ndërkombëtare dhe normat e vendosura.
“Ne kemi mjaft arsye për ta mbrojtur me të vërtetë rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Kjo nënkupton gjithashtu se në vendet e lira, demokratike dhe të bazuara në ligj, pushteti politik duhet të përmbahet nga ndërhyrja në veprimtarinë ekonomike të kompanive”, tha ai.
Muajin e kaluar, Gjermania arriti një marrëveshje për të zgjeruar bashkëpunimin me Nvidia-n në fushën e inteligjencës artificiale industriale, veçanërisht për përdorimin e saj në prodhim dhe robotikë.
Qeveria konservatore e kancelarit Friedrich Merz e ka cilësuar këtë partneritet si një mundësi për të ndërthurur përvojën gjermane në inxhinieri me teknologjinë e avancuar të inteligjencës artificiale. /Telegrafi/





