Sektori minerar dhe lëndët e para kritike paraqesin potencial të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Kosovës, tërheqjen e investimeve amerikane dhe ndërkombëtare, si dhe integrimin e vendit në zinxhirët globalë të furnizimit.

Kështu u vlerësua në forumin me temën “Sektori minerar dhe lëndët e para kritike në Kosovë: Mundësitë e investimeve për bizneset amerikane”, të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, në bashkëpunim me Komitetin e Grave në Energji dhe Miniera.
Në hapje të forumit, Shqipe Vela, udhëheqëse e Komitetit të Grave në Energji dhe Miniera, tha se pasuritë natyrore të Kosovës përbëjnë mundësi për zhvillim industrial, krijim të vendeve të punës dhe rritje të konkurrueshmërisë ekonomike.
Ajo theksoi se shfrytëzimi i këtij potenciali kërkon kuadër të qartë ligjor, politika të qëndrueshme dhe strategji afatgjatë për sektorin. Vela gjithashtu nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve arsimore dhe bizneseve për përgatitjen e fuqisë punëtore të kualifikuar, si dhe kontributin e investitorëve vendorë e ndërkombëtarë në modernizimin e industrisë.
Ndërkaq, Arben Mustafa, kryetar i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion në Kuvendin e Kosovës, vlerësoi se kërkesa globale për burime të sigurta të lëndëve të para krijon mundësi të reja për vendin.
Sipas tij, shndërrimi i potencialit minerar në investime konkrete kërkon institucione funksionale, transparencë në vendimmarrje dhe eliminim të pengesave burokratike. Mustafa shprehu përkushtimin për rishikimin e legjislacionit dhe adresimin e barrierave për investime, duke theksuar se investitorët amerikanë mund të kontribuojnë me kapital, teknologji, ekspertizë dhe qasje në tregjet ndërkombëtare.
Zëvendësministrja e Ekonomisë, Triera Kasumi Berisha, theksoi se zhvillimi i sektorit minerar duhet të fuqizojë industrinë vendore dhe të krijojë mundësi më të mëdha për përpunimin e lëndëve të para brenda Kosovës.
Ajo veçoi ndërmarrjen “Trepça” si aset strategjik, duke nënvizuar se modernizimi dhe përmirësimi i menaxhimit të saj janë të rëndësishëm për rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe qëndrueshmërinë afatgjatë.
Kasumi Berisha bëri të ditur se Ministria synon avancimin e vlerësimit të pasurive minerale, shqyrtimin e mundësive për gazifikimin e qymyrit mbi bazën e fizibilitetit ekonomik, teknologjik dhe mjedisor, si dhe hartimin e një strategjie të re minerare, të mbështetur në të dhëna të besueshme gjeologjike.
Vërejtje për funksionimin e institucioneve rregullatore pati Mentor Demi, përfaqësues i kompanisë Western Tethyan Resources dhe kryesues i Odës së Minierave të Kosovës. Ai tha se sektori minerar nuk po merr vëmendjen e merituar në diskutimet për zhvillimin ekonomik, ndonëse mineralet dhe lëndët e para janë bazë e tranzicionit energjetik dhe zhvillimit të teknologjive të reja.
Demi vlerësoi se në Kosovë ende mungon një kuptim i plotë i rëndësisë strategjike të këtij sektori dhe i natyrës afatgjatë të investimeve minerare. Ai rikujtoi se zhvillimi i një projekti minerar mund të zgjasë mesatarisht deri në 20 vjet, prandaj, sipas tij, politikat dhe vendimmarrja institucionale duhet të tejkalojnë ciklet afatshkurtra dhe të sigurojnë vazhdimësi e parashikueshmëri për investitorët.
Ai ngriti shqetësime lidhur me funksionimin e institucioneve rregullatore, veçanërisht të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, duke thënë se vonesat dhe mungesa e vendimmarrjes po pengojnë zhvillimin e projekteve private minerare.
Sipas Demit, disa investitorë ndërkombëtarë, pavarësisht investimeve milionëshe në aktivitete eksploruese në Kosovë, janë përballur me bllokimin e projekteve për shkak të mosveprimit institucional.
Ai vlerësoi se, ndonëse Kosova ka një kornizë ligjore përgjithësisht të favorshme për investitorët e huaj, zbatimi i saj dhe llogaridhënia institucionale mbeten sfida serioze. Për këtë arsye, kërkoi funksionalizimin e plotë të mekanizmave rregullatorë dhe trajtim më të balancuar të sektorit minerar, duke përfshirë edhe potencialin e investimeve dhe projekteve private.
Nga perspektiva akademike, Nurten Deva, rektore e Universitetit të Mitrovicës, theksoi se pasuritë minerare të Kosovës duhet të shoqërohen me zhvillimin e kapaciteteve përpunuese, teknologjive moderne dhe vlerësimin e ndikimeve ekonomike e mjedisore.
Ajo tha se bashkëpunimi më i ngushtë ndërmjet universiteteve, institucioneve publike dhe kompanive private është i domosdoshëm për shfrytëzimin efikas të burimeve minerare. Sipas saj, përfshirja më e madhe e akademisë dhe mbështetja për kërkimin shkencor do të kontribuonin në zhvillimin e qëndrueshëm të industrisë.
Në përfundim, Oda Ekonomike Amerikane vlerësoi se zhvillimi i një industrie minerare konkurruese dhe të qëndrueshme kërkon qasje të koordinuar ndërmjet institucioneve, sektorit privat dhe akademisë. /Telegrafi/




