Mikaile Tmusic flet pa filtra: ‘Sekreti’ i rikthimit të fuqishëm të Trepçës, synimet në Evropë dhe gara për titull

Mikaile Tmusic flet pa filtra: ‘Sekreti’ i rikthimit të fuqishëm të Trepçës, synimet në Evropë dhe gara për titull

Mikaile Tmusic flet pa filtra: ‘Sekreti’ i rikthimit të fuqishëm të Trepçës, synimet në Evropë dhe gara për titull

Trepça po kalon një periudhë shumë të mirë në këtë sezon, pasi pas një fillimi jo aq bindës, mitrovicasit kanë arritur të marrin kreun e Superligës së Kosovës në basketboll, ndërsa vazhdojnë të jenë në garë edhe në arenën evropiane.

Sponsor 3M Express

Për këtë rikthim, paraqitjet në FIBA Europe Cup, objektivat e skuadrës dhe konkurrencën në kampionat ka folur basketbollisti i Trepçës, Mikaile Tmusic, në një intervistë për Telegrafin.

Ai ka shpjeguar se një prej arsyeve kryesore për fillimin më të ngadaltë të sezonit ishte nevoja për përshtatjen e lojtarëve të rinj me sistemin e trajnerit Adis Beciragiq, duke theksuar se skuadrës i nevojiteshin disa ndeshje për të krijuar harmoninë e duhur.

“Si çdo sezon me Adisin, zakonisht e nisim sezonin pak më ngadalë, për shkak të ndryshimeve në ekip dhe lojtarëve të rinj që duhet të përshtaten me sistemin tonë. Për ta bërë ekipin më kompakt dhe për të arritur një harmoni mes të gjithë lojtarëve, siç thotë edhe trajneri ynë, na duhen të paktën dhjetë ndeshje që të jemi të gjithë në të njëjtën linjë. Besoj se kjo ishte arsyeja pse e nisëm sezonin jo në mënyrën më të mirë. Por, sapo filluam të krijojmë kimi më të mirë mes nesh, filluam të luajmë më mirë dhe rezultatet që po arrijmë tani janë dëshmi e kësaj”, ka thënë Tmusic.

Përveç dominimit në kampionat, Trepça ka regjistruar edhe rezultate pozitive në garat ndërkombëtare, duke mposhtur kundërshtarë si Spliti, Batumi dhe Opava. Megjithatë, basketbollisti i mitrovicasve pranon se skuadra mund të kishte bërë më shumë në përballjet me skuadrën greke Promitheas, por beson se ende ka mundësi për të siguruar kalimin në fazën tjetër të FIBA Europe Cup.

“Qëllimi ynë kryesor për këtë sezon, siç besoj unë, por edhe trajnerët dhe i gjithë menaxhmenti, ka qenë që të bëjmë më mirë dhe të paraqitemi sa më mirë në garat evropiane. Mendoj se deri më tani kemi bërë një punë solide. Mund të ishim paraqitur më mirë ndaj Promitheas në të dyja ndeshjet, por fatkeqësisht nuk ishte nata jonë, sidomos sa i përket përqindjes së gjuajtjeve. Megjithatë, në fund të ditës, mendoj se jemi ende në një pozitë të mirë dhe kemi ende shanse për të kaluar tutje”.

“E dimë se çfarë duhet të bëjmë, që është t’i fitojmë të tri ndeshjet e mbetura dhe të shohim se si do të përfundojnë ndeshjet e ekipeve të tjera, pasi është një garë mes tri skuadrave. Pra, të gjitha ekipet i kanë shanset e tyre për të kaluar në raundin tjetër”, ka deklaruar ai.

Tmusic është shprehur i lumtur me ecurinë e përgjithshme të ekipit, por nuk është plotësisht i kënaqur me paraqitjet e tij individuale. Basketbollisti, i cili këtë sezon ka një mesatare prej 6.3 pikësh për ndeshje, beson se mund të japë më shumë në vazhdim, veçanërisht në aspektin e efikasitetit nga vija e trepikëshit.

“Para së gjithash, jam shumë i lumtur me ekipin tim, që po fitojmë ndeshje dhe që në fund të ditës jemi në vendin e parë në kampionat, ndërsa vazhdojmë të kemi ende shanse edhe në garat evropiane. Kjo është ajo që më bën më së shumti të lumtur”.

“Sa i përket performancave të mia individuale, mendoj se sigurisht mund të jem shumë më i mirë. E di këtë dhe shpresoj që në vazhdim të përmirësohem, në mënyrë që ta ndihmoj ekipin edhe më shumë.

Por, siç e thashë edhe më herët, gjëja më e rëndësishme është që ekipi po fiton dhe nuk ka nevojë të sforcojmë asgjë. Unë e di rolin tim dhe e di se çfarë kërkohet nga unë. Nëse duhet të luaj vetëm në mbrojtje, do të jap maksimumin në mbrojtje”.

“Çfarëdo që të kërkojë ekipi, unë do ta bëj. Shpresoj që të përmirësohem sidomos në aspektin e efikasitetit nga vija e trepikëshit, sepse besoj se mund të jem shumë më i mirë në këtë aspekt. Të shohim, shpresoj që në vazhdim të arrij përmirësimin e dëshiruar”, është shprehur Tmusic.

Sa i përket humbjes në finalen e Superkupës ndaj Bashkimit, basketbollisti i Trepçës ka marrë përgjegjësinë për një moment të ndeshjes, duke vlerësuar se skuadra e tij tashmë është shumë më e organizuar sesa në fillim të sezonit.

“Ndeshja e Superkupës që e humbëm, besoj se e kontrolluam lojën për pothuajse të gjitha 40 minutat. Mendoj se në fund mora një gjuajtje të gabuar dhe e humbëm ndeshjen. Për këtë arsye, përgjegjësinë për atë moment e marr vetë”.

“Sa i përket ekipit tonë, besoj se jemi shumë më të mirë sesa në fillim të sezonit. Siç e thashë edhe më herët, tani jemi shumë më të organizuar, kemi kimi më të mirë mes lojtarëve dhe po luajmë shumë më mirë. Besoj se, si çdo sezon, objektivi ynë është t’i fitojmë të gjithë trofetë. Megjithatë, Bashkimi është gjithashtu një ekip shumë i mirë”.

“Peja besoj se do të jetë një skuadër e fortë, ndërsa edhe Ylli do të bëhet më i mirë kur të vijë Bamforth. Edhe skuadrat e tjera nuk duhen nënvlerësuar. Bora po luan shumë mirë dhe ka një trajner shumë të mirë”, ka theksuar ai.

Mitrovicasit synojnë ta fitojnë titullin e kampionit për herë të katërt radhazi, por Tmusic është i vetëdijshëm se ky objektiv nuk do të jetë i lehtë për t’u realizuar.

“Mendoj se do të jetë një sezon interesant. Nuk do të jetë aspak e lehtë ta fitojmë titullin për herë të katërt radhazi, por ky është objektivi ynë kryesor. Shpresojmë që në fund t’ia dalim dhe ta përmbushim këtë synim”, ka thënë basketbollisti.

Në fund, Tmusic ka folur edhe për nivelin e konkurrencës në Superligën e Kosovës, duke mos u pajtuar me vlerësimet se kampionati ka pësuar rënie në cilësi krahasuar me sezonet e kaluara.

“Nuk besoj se kampionati ka pësuar rënie sa i përket garës apo cilësisë së ekipeve. Ndoshta ndryshimi i rregullit nga sezoni i kaluar, ku tani lejohen katër lojtarë amerikanë në vend të pesë në kampionatin vendor, ka ndikuar paksa, por përsëri mendoj se ka shumë ekipe që do të jenë të kompletuara dhe të përgatitura mirë deri në fillimin e playoff-it”.

“Besoj se Peja, Ylli, Bashkimi, Trepca edhe Bora do të jenë pretendentë për ta fituar titullin e kampionit. Nuk dua të lë askënd jashtë, por po flas vetëm duke u bazuar në atë që kemi parë deri më tani gjatë këtij sezoni”, përfundoi Tmusic./Telegrafi/

Lexo edhe

Netanyahu bën ofertën e papritur: Pranon që rivali i tij të bëhet fillimisht kryeministër

Netanyahu bën ofertën e papritur: Pranon që rivali i tij të bëhet fillimisht kryeministër

Pas 27 vitesh si i zhdukur, varroset me nderime në Mitrovicë mjeku Adem Ademi

Pas 27 vitesh si i zhdukur, varroset me nderime në Mitrovicë mjeku Adem Ademi

Pse nuk ekziston një ilaç që mund t’i “zhbllokojë” arteriet dhe kur është vërtet i domosdoshëm stenti?

Pse nuk ekziston një ilaç që mund t’i “zhbllokojë” arteriet dhe kur është vërtet i domosdoshëm stenti?