Kreministri i RMV-së, Hristijan Mickoski, sot, duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske lidhur me atë se opozita këmbëngul për hapjen e një hetimi nga ana e Prokurorisë dhe pyesin se si Macura mori licencë, deklaroi se do ta shpëtojmë bankën dhe ajo do të vazhdojë të funksionojë.

“Shikoni, së pari dua të them se këto ditët e kaluara kam qenë shumë, personalisht i përqendruar në çështjen e Alta Bankës. Dhe sot jam optimist i madh se, për fat të keq opozita do të zhgënjehet, sepse skenarët e tyre të zinj dhe përpjekjet që banka të shkojë drejt pasigurisë, përkatësisht në falimentim, nuk do të realizohen. Përkatësisht, do të kemi një institucion financiar, një bankë që do të jetë pronare e Alta Bankës. Pra, do ta shpëtojmë bankën. Kjo është shumë e rëndësishme edhe për kreditorët, por edhe për njerëzit që janë në, do të thosha, ndonjë lloj relacioni me Alta Bankën. Dhe ky është lajm i keq për opozitën tonë, e cila lutej dhe në baza ditore zhvillonte fushatë se banka do të falimentojë, do të shkojë në falimentim e kështu me radhë. Ky është mesazhi i parë që edhe një herë do të doja ta thosha.
Së dyti, lidhur me estradën e tyre gjatë ditëve të kaluara, unë absolutisht pajtohem që Prokuroria të hapë rast, të nisë hetim dhe të shohim se çfarë do të thotë ai hetim. Kjo është e para.
Dhe së dyti, ne si Qeveri, secili që i përmbush të gjitha kushtet ligjore, që i përmbush rregullat e punës, e fundja po ai Macura më parë e ka fituar të drejtën të punojë edhe në territorin e Austrisë, sepse rregullatori austriak i ka lejuar të bëhet pronar i një pjese të aksioneve në “Adiko Bankës”. Gjithashtu, po ai Macura të hyjë në, do të thosha, marrëdhënie tregtare dhe afariste me “Raiffeisen Bank”, një nga institucionet më të mëdha financiare në rajon. Vetëm tregon se ajo që thonë nga opozita përbën estradë dhe folklor politik dhe unë do ta trajtoj vetëm në atë kategori, se është estradë dhe folklor politik.
Por këtu, ai i ka përmbushur të gjitha kushtet, i ka respektuar të gjitha kriteret dhe e ka fituar të drejtën të punojë në tregun e vendit. Ne nuk mundemi, si Qeveri, të zgjedhim se kush do të punojë ose kush nuk do të punojë. Nëse nga LSDM-ja opozitare në të kaluarën kanë përcaktuar se kush mund të punojë dhe si të punojë, nëse vetëm disa firma që kanë qenë të afërta me ta dhe me familjen e atëhershme, e dini cilën, kanë mundur të punojnë, ne nuk e bëjmë këtë, sepse çdokush që vepron mbi bazë të lirë të tregut, demokratike dhe, do të thosha, tregtare, mund të veprojë këtu”, tha Mickoski.
Mickoski shtoi se në vetë fillimin e këtij rasti, ky është rast i importuar dhe ne dhe opozita kemi ambicie të ndryshme. Ata kanë ambicie që është e ndërthurur me skenarë të zinj, kurse ne kemi ambicie ta shpëtojmë bankën dhe banka të vazhdojë të funksionojë dhe në këtë, besoni, ja, në fund të këtij procesi do të shihni se do t’ia dalim./Telegrafi/




