Kompania Meta ka njoftuar zgjerimin global të sistemit të verifikimit të moshës përmes inteligjencës artificiale, me synimin për të identifikuar përdoruesit nën 18 vjeç dhe për të parandaluar anashkalimin e kufizimeve në rrjetet sociale.

Sistemi i ri do të nisë të zbatohet në Instagram gjatë këtij muaji, ndërsa më pas do të shtrihet edhe në Facebook dhe Threads.
Sipas kompanisë, teknologjia do të analizojë sjelljen dhe përmbajtjen e publikuar nga përdoruesit për të vlerësuar moshën e tyre, edhe në rastet kur kanë deklaruar datëlindje të rreme për t’u paraqitur si të rritur.
Nëse sistemi identifikon se një përdorues është adoleshent, llogaria e tij do të kalojë automatikisht në kategorinë e mbrojtjes së posaçme për këtë grupmoshë. Kjo nënkupton kufizime për personat që mund ta kontaktojnë dhe kontroll më të madh mbi përmbajtjen që u shfaqet.
Masat e reja përfshijnë edhe kujtesa për ndërprerjen e përdorimit të Instagramit pas 60 minutash, heshtjen e njoftimeve gjatë natës dhe kufizimin e ekspozimit ndaj përmbajtjeve të caktuara.
Prindërit, ndërkaq, do të mund të marrin njoftime për aktivitetin e fëmijëve të tyre, përfshirë rastet kur ata komunikojnë për herë të parë me një të rritur.
Vendimi vjen në një kohë kur Meta po përballet me kritika dhe procese gjyqësore lidhur me ndikimin e rrjeteve sociale te fëmijët dhe adoleshentët.
Siç raporton Al Jazeera, kompania u ka bërë thirrje edhe platformave të tjera, përfshirë TikTok dhe YouTube, të zbatojnë masa të ngjashme për identifikimin dhe mbrojtjen e përdoruesve të mitur.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




