Zonja e Parë e SHBA-së, Melania Trump, bëri thirrje për një armëpushim “më të qëndrueshëm” në Ukrainë, ndërsa priti delegacionet ruse dhe ukrainase në Shtëpinë e Bardhë, pas armëpushimit të javës së kaluar në rajonin jugor të Khersonit.

Qindra banorë të qytetit ukrainas Oleshky – i cili ndodhet nën pushtimin rus dhe përballet me urinë e bombardimet e vazhdueshme – mundën të evakuoheshin gjatë një armëpushimi gjashtëditor, për arritjen e të cilit si Moska, ashtu edhe Kievi, i dhanë meritat Melania Trumpit.
“Jeta e njerëzve të pafajshëm duhet të jetë mbi ndasitë e luftës. Shpresoj që Oleshky të frymëzojë një paqe më të gjerë,” tha ajo, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Në këtë ngjarje të pazakontë në Shtëpinë e Bardhë, zyrtarë të lartë ukrainas dhe rusë u takuan jashtë kornizës së bisedimeve zyrtare të paqes – të ndërmjetësuara nga SHBA-ja – të cilat po zhvillohen pa sukses që nga viti i kaluar.
Delegacionet përbëheshin nga Avokati i Popullit për të Drejtat e Njeriut në Ukrainë, Dmytro Lubinets, dhe homologja e tij ruse, Yana Lantratova, si dhe nga deputeti ukrainas Davyd Arakhamia dhe i dërguari i Kremlinit, Kirill Dmitriev.
Të gjitha palët i njohën Melania Trumpit meritat për rolin e saj kyç – ndonëse të paspecifikuar – në arritjen e armëpushimit, dhe i përcollën asaj mirënjohjen e presidentëve rus dhe ukrainas.




