Autoritetet meksikane kanë arrestuar Rafael Alvarez, i njohur me nofkën “R2”, i dyshuar si një nga drejtuesit e kartelit të drogës “Jalisco New Generation”.

Arrestimi u krye në Zapopan, në rajonin e Guadalajarës, gjatë një operacioni të mbështetur nga informacione të Agjencisë Amerikane Kundër Drogës.
Sipas ministrit meksikan të Sigurisë, Omar García Harfuch, i dyshuari mbeti i plagosur gjatë një shkëmbimi zjarri dhe po merr trajtim mjekësor. Gjatë operacionit u arrestuan edhe 19 persona të tjerë.
Autoritetet e lidhin grupin me trafik droge, vrasje, rrëmbime dhe zhvatje të bizneseve. Alvarez dyshohet gjithashtu për përfshirje në vrasjen e të paktën 19 personave, përfshirë ish-kryetarin e komunës së Uruapanit, Carlos Manzo.
Ai kërkohej nga drejtësia meksikane për vrasje të rëndë, ndërsa ndaj tij ekziston edhe një urdhër për ekstradim në SHBA.




