Kosova ka kaluar një tjetër 24-orësh të ngarkuar me ngjarje të ndryshme, ku nuk kanë munguar operacionet antidrogë, rastet e dhunës në familje, incidentet fizike dhe vdekjet e dyshimta. Zyrtarët policorë dhe prokuroritë rajonale kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme për trajtimin e secilit rast.

Pejë – Një operacion policor i zhvilluar në fshatin Dubovë e Madhe ka përfunduar me arrestimin e 20-vjeçarit Ron Zogaj. Gjatë bastisjes në shtëpinë e tij, Policia ka gjetur dhe sekuestruar 302.2 gramë marihuanë, një pistoletë të modifikuar PAK 9 mm, karikator me tre fishekë, 325 euro para të gatshme, një peshore dixhitale dhe qese për paketimin e drogës. Ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh për shitje të paautorizuar të narkotikëve dhe mbajtje të paautorizuar të armëve.
Prishtinë – Një shofer i kompanisë “SCAN Taxi”, i identifikuar si Gentrit Jashari (21 vjeç), është arrestuar pas një përjekjeje për t’iu shmangur kontrollit policor. Pas ikjes me veturën e punës, ai kishte tentuar të ikte edhe në këmbë kur policia kërkoi kontrollin e një veture Audi A6 në pronësi të prindit të tij. Gjatë kontrollit të këtij automjeti, zyrtarët policorë gjetën 553 gramë marihuanë. 21-vjeçari është ndaluar për 48 orë.
Ferizaj – Pas një ndeshjeje hendbolli në palestrën “Bill Clinton”, ka ndodhur një incident ku një person i prezantuar si diplomat hungarez është gjetur i shtrirë në tokë. Ai ka deklaruar se disa të rinj tentuan t’ia merrnin me forcë daullen me të cilën përkrahte ekipet hungareze, por ka refuzuar të japë të dhëna personale apo të marrë trajtim mjekësor. Policia ka shoqëruar dy të dyshuar, Erijon Shkodra (20 vjeç) dhe një 17-vjeçar me inicialet L.B., ndërsa rasti po trajtohet në procedurë hetimore.
Klinë – Një vizitë te dentisti ka përfunduar në stacion policor pasi 27-vjeçari A.D. dyshohet se ka sulmuar motrën e tij J.D. (37 vjeçe) brenda një ordinance stomatologjike në rrugën “Sadik Rama”. Pas një mosmarrëveshjeje verbale, i dyshuari e ka tërhequr motrën e tij për flokësh dhe e ka nxjerrë zvarrë jashtë lokalit. Me vendim të prokurorit, 27-vjeçari është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për dhunë në familje.
Obiliq – Një rast i rëndë i dhunës në familje është parandaluar nga ndërhyrja e një të riu, pasi babai i tij K.K. (47 vjeç) dyshohet se ia ka afruar thikën e kuzhinës në fyt bashkëshortes së tij A.K. (48 vjeçe). Djali i çiftit ka ndërhyrë menjëherë duke ia marrë armën nga dora babait. Policia ka sekuestruar thikën në vendngjarje dhe i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë nën akuzën për kanosje.
Prishtinë – Një ndërhyrje e Policisë për një rast të raportuar të dhunës në familje në rrugën “Hakif Zejnullahu” ka zbuluar 8.31 gramë marihuanë në banesë. E dyshuara Olta Sejdiu (22 vjeçe) ka pranuar se lënda narkotike i përkiste asaj. Substanca është sekuestruar, ndërsa rasti ndaj 22-vjeçares do të ndiqet në procedurë të rregullt për posedim të paautorizuar të narkotikëve.
Vushtrri – Një 61-vjeçar, i identifikuar si Musa Xhema, është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij në rrugën “Lumni Surdulli”. Ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tij në vendngjarje. Nga hetimet fillestare ekzistojnë dyshime për vetëvrasje, ndërsa me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion dhe rasti është cilësuar si “Vdekje e dyshimtë”.
Prishtinë (Hajvali) – Tefik Gërbeshi (67 vjeç) ka humbur jetën në QKUK si pasojë e plagëve të rënda në kokë të shkaktuara nga pushka e gjuetisë. Viktima paraprakisht kishte telefonuar pronarin e lokalit ku punonte duke e paralajmëruar se do t’i jepte fund jetës. Policia dhe ekipi i emergjencës e kishin transportuar atë me shenja jete në spital, por ai nuk u mbijetoi plagëve. Rasti po hetohet nga prokuroria si “Hetim mbi vdekjen”.
SINJALI 24 – Kur ti flije, ne e përcollëm Kosovën.
Shënim. I akuzuari prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me aktgjykim të formës së prerë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




