Vendimi i talentit të ri, Lutfi Dalipi, për ta përfaqësuar Kosovën në të ardhmen ka marrë vëmendje edhe në mediat zvicerane.

Dy prej mediumeve më të mëdha në Zvicër, Blick dhe 20 Minuten, kanë raportuar për zgjedhjen e 20-vjeçarit, i cili po shkëlqen këtë sezon me skuadrën e Vaduzit.
Blick e ka publikuar lajmin me titullin “Talenti i madh ka marrë vendimin për kombëtaren”, duke bërë të ditur se Dalipi ka zgjedhur Kosovën, ndonëse ka lindur dhe është rritur në Zvicër dhe ka qenë pjesë e përfaqësueseve të grupmoshave të këtij shteti deri te U21.
Mediumi zviceran thekson se futbollisti kishte mundësi të zgjidhte mes Kosovës, Shqipërisë dhe Portugalisë, por në fund vendosi ta realizojë premtimin që i kishte dhënë gjyshit të tij për të përfaqësuar njërën prej dy vendeve shqiptare, duke zgjedhur Kosovën.
Edhe 20 Minuten i ka kushtuar një artikull këtij vendimi, duke e cilësuar Dalipin si një tjetër talent që i thotë “jo” përfaqësueses së Zvicrës.
“Çështje zemre – talenti i radhës i kombëtares i thotë jo Zvicrës”, ishte titulli i mediumit zviceran, i cili vuri në pah vendimin e futbollistit për të mos vazhduar karrierën ndërkombëtare me Zvicrën.
Ndërkohë, Dalipi po kalon një sezon të shkëlqyeshëm me Vaduzin, ku është i huazuar nga Young Boys. Deri më tani, ai ka regjistruar pesë gola dhe nëntë asistime, paraqitje që kanë tërhequr vëmendjen edhe të klubeve të mëdha evropiane.
Zgjedhja e tij vjen pas vendimeve të Leon Avdullahut dhe Albian Hajdarit, të cilët gjithashtu vendosën të mos e përfaqësojnë Zvicrën, por Kosovën.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





