Kuvendi i Kosovës ka miratuar futjen në rendin e ditës së seancës së sotme të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë, pas mocionit procedural të propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Për këtë propozim votuan 79 deputetë, ndërsa nuk pati asnjë votë kundër apo abstenim. Ligji u përfshi si pika e 11-të e rendit të ditës.
“79 deputetë kanë votuar për, asnjë kundër, asnjë abstenim. Kalon ky mocion si pika e 11-të e rendit të ditës”, tha kryeparlamentarja Albulena Haxhiu.
Mocionin procedural për ndryshimin e rendit të ditës e paraqiti PDK-ja, duke kërkuar që Kuvendi të shqyrtojë sërish ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, tha se partia e saj ka kërkuar kthimin e ligjit në Kuvend, pasi, sipas saj, janë dhënë disa këshilla dhe rekomandime që mund ta përmirësojnë atë nga aspekti juridik.
“Disa këshilla dhe rekomandime të cilat ne besojmë se ligjin do ta bëjnë edhe më të fuqishëm, edhe më të qëndrueshëm juridikisht”, tha Çitaku, duke kërkuar që ligji të miratohet gjatë seancës së sotme.
“Menjëherë të hënën të fillojmë procedurën e amendamentimit”, tha ajo.
PDK-ja ka propozuar që fillimisht të rrëzohet vetoja e Presidentes Justina Shiroka-Pula, në mënyrë që ligji të miratohet në formën ekzistuese, ndërsa më pas të nisë procedura për amendamentimin e tij.
Futjen e ligjit në rendin e ditës e mbështeti edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila paraprakisht, në Komisionin parlamentar për Legjislacion, kishte deklaruar se do ta përkrahte rrëzimin e vetos së Presidentes.
Ndërkaq, shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës deklaroi se kjo parti mban “qëndrimin e njëjtë” për ligjin, ndërsa Aleanca e mbështeti propozimin e PDK-së.
Ligji ishte kthyer në Kuvend nga Presidentja Justina Shiroka-Pula, me kërkesë të PDK-së, duke krijuar paqartësi lidhur me procedurën që duhej ndjekur më pas.
Juristët kishin shprehur qëndrime të ndryshme nëse ndryshimet mund të bëheshin fillimisht në Komisionin për Legjislacion dhe më pas ligji të votohej në seancë, apo nëse Kuvendi duhej fillimisht të votonte për rrëzimin e vendimit të Presidentes për kthimin e tij dhe më pas të vazhdonte me procedurat e amendamentimit.
Sipas nenit 80, paragrafi 4, të Kushtetutës së Kosovës, Kuvendi, me shumicën e votave të të gjithë deputetëve, vendos për miratimin e ligjit të rikthyer nga Presidenti i Republikës, ndërsa ligji përkatës konsiderohet i shpallur.
Në këtë rast, Presidentja nuk mund ta kthejë për herë të dytë të njëjtin ligj. Nëse Kuvendi e miraton sërish me shumicën e votave të të gjithë deputetëve, vendimi i saj për kthimin e ligjit tejkalohet.
Megjithatë, ligji hyn në fuqi 15 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, përveç nëse me vetë ligjin përcaktohet ndryshe.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





