Komisioni për Legjislacion po shqyrton Ligjin për Byronë, ndërsa në mbledhje nuk po merr pjesë deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, njëri nga hartuesit e ndryshimeve të Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Ndërkohë, e pranishme është deputetja tjetër e PDK-së, Blerta Deliu, e cila nuk ka pranuar të flasë për zhvillimet rreth Ligjit për Specialen.

Mungesa e Grudës vjen një ditë pasi ai deklaroi se qëndron prapa ligjit, i cili u kthye në Kuvend për rishqyrtim pas kërkesës së vetë PDK-së. Ai kishte thënë se ligji nuk përmban gabime dhe se do të kishte preferuar që të flitej për zbatimin e tij, e jo për rihapjen e debatit.
“Unë qëndroj sot, dhe do të qëndroj deri në fund, prapa çdo shkronje të këtij ligji”, kishte shkruar Gruda.
Ai kishte theksuar se rishqyrtimi duhet të bëhet mbi argumente juridike dhe me synimin për ta ruajtur thelbin e ligjit.
Presidentja Justina Shiroka-Pula e ktheu ligjin në Kuvend pas kërkesës zyrtare të PDK-së, e cila ka thënë se synon plotësimin e disa dispozitave dhe forcimin e sigurisë juridike. Ligji ishte miratuar më 6 tetor.
Burimi: Dukagjini




