Mbetjet e raketës Starship të kompanisë SpaceX kanë përfunduar në bregdetin e Meksikës, pas lëshimit të saj më 13 nëntor nga baza e kompanisë në Starbase të Teksasit, pranë kufirit me këtë shtet.

Pas incidentit, presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, bëri të ditur se qeveria e saj po kërkon të zhvillojë bisedime me autoritetet amerikane të aviacionit, për të përcaktuar kushtet e përdorimit të hapësirës ajrore meksikane gjatë operacioneve të SpaceX-it.
Fragmentet e raketës u gjetën në bregdetin Playa Bagdad, në qytetin Matamoros, në shtetin Tamaulipas. Autoritetet meksikane kanë nisur mbledhjen e tyre dhe vlerësimin e ndikimit të mundshëm në mjedis.
Prokuroria Federale për Mbrojtjen e Mjedisit (Profepa), në bashkëpunim me Komisionin Kombëtar për Zonat e Mbrojtura Natyrore, po merret me identifikimin dhe largimin e materialeve të gjetura në bregdet.
Sipas autoriteteve, më 17 nëntor janë mbledhur rreth dy kilogramë mbetje, pasi fragmentet e para dolën në breg. Megjithatë, dyshohet se pjesë të tjera mund të jenë ende nën ujë ose të dalin në breg në ditët në vijim.
Materialet e mbledhura janë transportuar në një objekt të marinës meksikane, ku do të ruhen deri në marrjen e tyre nga SpaceX. Kompania pritet të jetë përgjegjëse për trajtimin dhe asgjësimin e tyre.
Presidentja Sheinbaum theksoi se Meksika synon të përcaktojë qartë kushtet në të cilat kompanitë amerikane mund të kryejnë operacione që mund të ndikojnë në territorin dhe hapësirën ajrore të vendit.
Ndërkohë, autoritetet paralajmëruan se kushtet atmosferike dhe gjendja e detit mund të kenë ndikuar në shpërndarjen e mbetjeve përgjatë bregdetit, ndaj monitorimi i zonës do të vazhdojë.
Përmes bisedimeve me Uashingtonin, Meksika synon të vendosë rregulla për lëshimet e ardhshme të raketave, në mënyrë që mbetjet e tyre të mos përfundojnë në territorin e saj.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





