Prindërit britanikë duket se mësojnë më shumë për jetën e fëmijëve të tyre gjatë udhëtimeve me makinë sesa rreth tryezës së darkës.

Sipas një hulumtimi të realizuar nga Changan UK, 41% e prindërve në Britani thonë se bisedat më kuptimplota me fëmijët zhvillohen gjatë udhëtimeve me makinë, qoftë rrugës për në shkollë apo gjatë udhëtimeve familjare.
Makina renditet kështu para shëtitjeve familjare (33%), dhomave të fëmijëve (30%) dhe tryezës së darkës (29%) si vendi ku zhvillohen bisedat më të rëndësishme, shkruan Mirror, transmeton Klankosova.tv.
Një e treta e prindërve pranojnë se kalojnë edhe një javë të tërë pa u ulur për të biseduar me fëmijët gjatë një vakti familjar. Ndër arsyet kryesore përmenden oraret e ngarkuara, oraret e ndryshme të ngrënies dhe puna.
Hulumtimi zbuloi gjithashtu se 44% e prindërve kanë mësuar gjatë udhëtimeve me makinë diçka të re për shoqërinë e fëmijëve të tyre, ndërsa po aq kanë zbuluar shqetësimet që ata mbajnë përbrenda.
Edhe adoleshentët duket se ndihen më të lirshëm për të folur në makinë. Rreth 60% thonë se e kanë më të lehtë të zhvillojnë biseda të sinqerta me prindërit gjatë udhëtimeve, ndërsa 55% kanë ndarë me ta shqetësime personale që më parë kishin hezituar t’i diskutonin në shtëpi.
Psikologia klinike Dr. Linda Blair shpjegon se mungesa e kontaktit të drejtpërdrejtë me sy gjatë vozitjes i bën adoleshentët të ndihen më pak të gjykuar dhe më të lirshëm për të shprehur mendimet e tyre.
Sipas saj, makina krijon një ambient të rehatshëm, të sigurt dhe më pak të shpërqendruar, duke i afruar emocionalisht prindërit me fëmijët.
Kështu, një udhëtim i zakonshëm me makinë mund të kthehet në një nga momentet më të vlefshme të komunikimit familjar./Klankosova.tv




