Ish-ministri i Drejtësisë Krenar Lloga, ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për të kërkuar mendim nga Komisioni i Venecias në lidhje me Ligjin për provimin e jurisprudencës.

Lloga thotë se në janar të vitit 2024, në Qeveri u votua që provimi të zhvillohej 100% në gjuhën shqipe.
“Në janar të vitit 2024, në Qeveri u votua që provimi të zhvillohej 100% në gjuhën shqipe! Më pas, shumica parlamentare VMRO-VLEN me Afrim Gashin në krye e hoqi nga procedura parlamentare, që para pak çastesh të dalin e të krenohen me një zgjidhje gjysmake dhe të papranueshme që e kanë kaluar sot në Qeveri: 70% shqip e 30% maqedonisht!”.
“Populli ynë e thotë bukur: “Dhia e zgjebur e bishtin përpjetë!”, andaj mos u krenoni me atë që u turpëron!”, ka shkruar Lloga.
Ndryshe, Qeveria, në mbledhjen e sotme, miratoi nevojën për marrjen e një mendimi urgjent nga Komisioni i Venecias lidhur me modelin e propozuar për dhënien e provimit të jurisprudencës.
Ministri i Drejtësisë aktual Jeton Shasivari, para disa ditëve në një takim me përfaqësuesit e studentëve, e prezantoi propozim-ligjin për Jurisprudencës, i cili parasheh që provimi teorik të jepet në gjuhën shqipe, ndërsa praktika të mbetet në gjuhën maqedonase./Telegrafi/




