Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku Sadriu, ka kritikuar politikat ekonomike të Qeverisë Kurti, duke thënë se shpërndarja e ndihmave financiare nuk e zëvendëson nevojën për krijimin e vendeve të punës dhe perspektivës për të rinjtë.

Duke folur në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu , ajo ka vlerësuar se Qeveria po përqendrohet te skemat sociale, në vend të politikave që nxisin zhvillimin ekonomik.
“Kjo qeveri lidhje s’ka me zhvillim ekonomik. Mbledh taksa më shumë, inflacioni është i lartë. Në vend se të krijojë politika zhvillimore, të hapë vende të reja të punës, të hapë perspektivë për të rinjtë, ajo vendos të bëjë skema sociale, të shpërndajë nga njëqind euro”, ka deklaruar Lushaku Sadriu, shkruan Telergafi.
– YouTube www.youtube.com
Sipas saj, pagesat e njëhershme nuk ofrojnë zgjidhje afatgjatë për të rinjtë dhe nuk ua përmirësojnë në mënyrë të qëndrueshme jetën në Kosovë.
“Njëqind euro nuk është zgjidhje për asnjë të ri, njëqind euro nuk ia përmirëson jetën një të riu”, është shprehur ajo.
Lushaku Sadriu ka theksuar se punësimi do t’u jepte të rinjve më shumë siguri dhe arsye për ta ndërtuar të ardhmen në vend.
“Një vend pune do t’ia përmirësonte jetën në Kosovë, do t’ia jepte perspektivën që të vazhdojë të jetojë në Kosovë”, ka thënë ajo.
Ajo ka akuzuar Qeverinë se nuk i dëgjon propozimet dhe nuk merr shembull nga praktikat e tjera për zhvillim ekonomik.
“Problemi është që as nuk dëgjon dhe as nuk merr praktika të tjera, por e blen paqen me skema sociale”, ka deklaruar Lushaku Sadriu.
Në këtë kontekst, ajo ka kërkuar edhe kufizime ligjore për përdorimin e buxhetit publik gjatë periudhave zgjedhore, duke e kritikuar shpërndarjen e mjeteve financiare si mënyrë për të siguruar mbështetje politike
“Kjo është praktikë që s’bën të përsëritet. Kjo praktikë madje duhet të ankorohet në ligj, që asnjë pushtet të mos e shfrytëzojë buxhetin publik në kohë elektorale”, ka theksuar ajo. /Telegrafi/




