Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku Sadriu, ka deklaruar se Gjermania mbetet partnere dhe mbështetëse e Kosovës në procesin e integrimit evropian.

Duke folur në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova të shtunën, pas vizitës së fundit në Gjermani dhe takimeve të zhvilluara atje, ajo tha se kërkesat e këtij shteti ndaj Kosovës janë të njëjta me kriteret e Bashkimit Evropian.
Lushaku Sadriu theksoi se Gjermania e mbështet Kosovën me të gjitha kapacitetet e saj, por pret që vendi të shënojë përparim dhe të shmangë krizat politike që mund ta bllokojnë atë, njofton Klankosova.tv.
“Ata janë me të gjitha kapacitetet e veta në mbështetje të Kosovës. Normalisht që kërkesat i kanë që ne të ecim përpara, të mos prodhojmë ikje të përgjegjësisë edhe kriza politike të tjera që e bllokojnë vendin”.
“Për me pas Kosovën një shtet demokratik, një shtet i cili ec përpara në procesin e integrimit është vullneti i Gjermanisë”, u shpreh ajo.
Deputetja e LDK-së shtoi se përgjegjësia për përmbushjen e kritereve dhe avancimin e vendit i takon Qeverisë, pasi është ajo që përcakton mënyrën se si Kosova ecën përpara.




