Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku Sadriu, ka reaguar lidhur me rastin e Arlinda Zekajt, e cila sa ishte gjallë kërkonte nga institucionet zbatimin e vendimit të gjykatës për takimin me djalin e saj.
Në një video të publikuar ekskluzivisht nga emisioni “MAT” në Klan Kosova, Arlinda dëgjohet duke i kërkuar një zyrtari policor që të respektohet vendimi gjyqësor.

Sipas përshkrimit të Lushakut, polici Faruk Muçolli i përgjigjet se vendimi interpretohet ndryshe nga ana e tyre dhe se detyra e policisë është vetëm ta shoqërojë Arlindën deri në shtëpi.
Lushaku e ka cilësuar këtë situatë si dëshmi të dështimit të institucioneve për t’iu përgjigjur kërkesave të një nëne që kërkonte zbatimin e vendimit të gjykatës dhe të drejtën për ta takuar djalin e saj.
“Një viktimë duke e lutë shtetin me zbatu vendimin! Një nanë duke luftu për të drejtën e saj për djalin”, ka shkruar Lushaku në Facebook.
Ajo ka kërkuar përgjegjësi institucionale, duke i bërë thirrje kryeministrit për shkarkime.
“Shkarkime, o kryeministër! A ndoshta edhe ti po e lexon vendimin ndryshe?!”, ka shkruar deputetja.
Burimi: Dukagjini




