Presidenti i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva, u rizgjodh të dielën për një mandat të katërt historik, por rivali i tij i mundur dhe aleati i Donald Trumpit, senatori Flávio Bolsonaro, deklaroi se nuk do ta pranonte rezultatin dhe se do ta kundërshtonte atë në rrugë ligjore.
Udhëheqësi 80-vjeçar i së majtës fitoi më shumë se 51% të votave, duke siguruar fitoren në raundin e dytë të zgjedhjeve. Rezultati bie ndesh me prirjen më të gjerë të zhvendosjes politike drejt së djathtës në Amerikën Latine. Fushata zgjedhore u dominua nga shqetësimet për koston e jetesës, kriminalitetin dhe korrupsionin, raporton CNN.

Bolsonaro, i cili mbeti rreth 4.4 milionë vota pas Lulës, tha se ekipi i tij do ta kundërshtonte rezultatin, pas vendimit të minutës së fundit të Gjykatës Supreme për zgjatjen e votimit me dy orë.
“Është e pamundur ta njohim rezultatin e zgjedhjeve, duke pasur parasysh mënyrën se si u zhvilluan këto ngjarje”, u tha Bolsonaro mbështetësve të tij në kryeqytetin Brasília, pasi u shpall fitorja e Lulës.
“Do të ndërmarrim veprime ligjore. Do të kërkojmë anulimin e këtyre zgjedhjeve”, deklaroi ai.
Këto zgjedhje shënojnë herën e parë që nga rikthimi i zgjedhjeve të drejtpërdrejta presidenciale në vitin 1989 që një kandidat fiton presidencën pasi është renditur i dyti në raundin e parë.
“Ju siguroj se do të ndryshojmë mënyrën se si qeverisim këtë vend. Do t’u japim qytetarëve një rol më të madh në vendimmarrjen tonë”, deklaroi Lula pas rizgjedhjes.
Burimi: Dukagjini




