Doku ka munguar në katër ndeshjet e para të edicionit të ri të Ligës së Kombeve, të zhvilluara në shtator dhe tetor, për shkak të një lëndimi. Anësori tashmë është rikuperuar dhe është në dispozicion për dy ndeshjet e fundit të fazës së grupeve, kundër Turqisë dhe Italisë.
Trajneri Van Bommel është shprehur i kënaqur me rikthimin e tij, duke pranuar se tashmë do ta ketë më të vështirë përzgjedhjen e futbollistëve për formacionin titullar.

“Jam shumë i kënaqur që Jeremy është rikthyer në skuadër. Kjo sigurisht që e vështirëson përzgjedhjen e formacionit, por mendoj se të pesë anësorët mund të luajnë në të dyja krahët. Është një dilemë, por një problem i këndshëm për t’u pasur”, ka deklaruar Van Bommel.
Ndërkohë, Belgjika nuk do të mundë të llogarisë në shërbimet e golashënuesit më të mirë në historinë e saj, Romelu Lukaku, i cili ka probleme me ijën.
“Romelu ka disa probleme me ijën. Ai i kishte ndier ato edhe një ditë më parë. Edhe pse mund të stërvitet, së bashku kemi vendosur që të mos jetë pjesë e formacionit”, ka bërë të ditur trajneri belg.
Van Bommel ka vlerësuar rëndësinë e Lukaku për ekipin, si në fushë, ashtu edhe jashtë saj, duke shpresuar se sulmuesi do të rikuperohet në kohë për ndeshjen kundër Italisë.
Belgjika renditet në vendin e tretë në Grupin A1 me gjashtë pikë, pas Francës që ka dhjetë dhe Italisë me shtatë pikë. Dy skuadrat e para sigurojnë kualifikimin në çerekfinale të Ligës së Kombeve, që zhvillohen në muajin mars.
Belgjika fillimisht do të përballet me Turqinë në Izmir, të enjten, ndërsa të dielën e pret Italinë në Bruksel.
Burimi: RTKLive





