Kuvendi i Kosovës pritet të shqyrtojë Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, pasi presidentja Justina Shiroka-Pula e kishte kthyer atë për rishqyrtim më 22 tetor.
Për ta rimiratuar ligjin dhe për ta rrëzuar veton e presidentes, nevojiten së paku 61 vota të deputetëve, në përputhje me nenin 80 të Kushtetutës. Nëse ligji nuk i siguron këto vota, ndryshimet duhet të ndiqen përmes një nisme të re ligjore.

Çështja është proceduar drejt seancës plenare pas shqyrtimit në Komisionin për Legjislacion, më 12 nëntor, ku përfaqësuesit e partive politike shprehën qëndrime të ndryshme për hapat e mëtejmë.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha se partia e saj është pajtuar me shumicën parlamentare që ligji të votohet në formën në të cilën është miratuar më 6 tetor, ndërsa ndryshimet të trajtohen përmes një procesi të ri ligjvënës.
Ndërkaq, ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka kërkuar mbështetjen e deputetëve për rimiratimin e ligjit. Ajo është zotuar se partia do të nisë procedurën për një nismë të re ligjore të hënën dhe se brenda dy javësh do të propozojë ndryshimet.
“Kërkoj që ta miratohet ligji sot dhe menjëherë të hënën të fillojmë procedurën e amendamentimit. Këtij procesi për të treguar seriozitet t’i japim dy javë kohë. Zotohem publikisht që të hënën do të sjellim nismën e re ligjore dhe brenda dy javësh do të bëjmë ndryshimet e Ligjit në fjalë”, ka deklaruar Çitaku.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin për Legjislacion, Adnan Rrustemi dhe Vigan Qorolli, u shprehën në favor të nisjes së një procesi të ri ligjvënës.
Megjithatë, Vetëvendosje ka deklaruar se do ta votojë sërish tekstin aktual, nëse ai procedohet për votim.
Rrustemi tha se një nismë e re do të mundësonte adresimin e shqetësimeve që vetë PDK-ja kishte ngritur për përmbajtjen e ligjit, ndërsa Qorolli e cilësoi nismën e miratuar më 6 tetor si të ngutshme dhe juridikisht të pamjaftueshme.
“Do ta përsërisim sa herë që të jetë e nevojshme. Kjo iniciativë ka qenë e ngutshme, juridikisht e pamjaftueshme dhe pa ndonjë vlerë të mirëfilltë”, ka thënë Qorolli.
Për çështjen ka folur edhe ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu. Duke komentuar zhvillimet në emisionin “Five” në TV Dukagjini, ai ka thënë se ligji i kthyer nga presidentja nuk mund të ndryshohet përmes amendamenteve në këtë fazë, por duhet të nisë një proces i ri ligjvënës nëse synohet ndryshimi i përmbajtjes së tij.
Sipas Kryeziut, Kuvendi mund ta rimiratojë tekstin aktual me së paku 61 vota, pa pasur nevojë për nënshkrimin e presidentes.
“Këto situata që ne po i shikojmë, për mua janë paprecedent dhe nuk kanë ndonjë filozofi kështu të qartë procedurale ose kushtetuese. Ligji ose duhet të amandamentohet dhe të fillojë nga zero. Ose duhet të kalojë, t’i kthehet me 61 vota dhe të hyjë në fuqi pa u nënshkruar nga presidenti”, ka deklaruar ai.
Kryeziu ka vlerësuar gjithashtu se presidentja duhet ta ushtrojë në mënyrë të pavarur kompetencën për kthimin e ligjeve, duke theksuar se Kushtetuta parasheh dy arsye për një veprim të tillë: cenimin e rendit juridik dhe kushtetues ose cenimin e të drejtave dhe lirive të komuniteteve joshumicë.
Ndërkohë, votimi i mundshëm i ligjit është kundërshtuar nga Bashkimi Evropian dhe disa ambasada të vendeve aleate të Kosovës.
Zyra e BE-së në Kosovë ka paralajmëruar se ndryshimet ngrenë shqetësime serioze lidhur me obligimet ndërkombëtare të vendit, sundimin e ligjit, pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, si dhe kushtetutshmërinë e tyre. BE-ja ka bërë thirrje për konsultime paraprake para çdo miratimi të ligjit.
Ambasada Gjermane ka deklaruar se pajtohet plotësisht me shqetësimet e BE-së, ndërsa Ambasada e Italisë ka vlerësuar se ndryshimet nuk do t’u shërbejnë as interesave të Kosovës dhe as interesave të personave të dënuar së fundmi nga Dhomat e Specializuara.
Edhe Ambasada e Britanisë së Madhe ka inkurajuar Kuvendin që të mos nxitojë me këtë proces dhe të zhvillojë konsultime të mëtejshme me BE-në dhe aleatët ndërkombëtarë. Sipas saj, ndryshimet e propozuara nuk do t’i shërbejnë interesave thelbësore të Kosovës dhe mund t’i dëmtojnë marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.
Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara u miratuan më 6 tetor, me nismë të PDK-së, pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, më 16 shtator.
Ato synojnë kufizimin e juridiksionit të Gjykatës Speciale kryesisht në veprat që lidhen drejtpërdrejt me pretendimet për trafikim organesh, ndryshimin e periudhës kohore që mbulon mandati i saj, kufizimin e territorit ku mund të trajtohen rastet, si dhe ndryshimin e dënimit maksimal në 15 vjet burgim. Ligji parasheh gjithashtu mundësinë e faljes presidenciale për personat e dënuar nga kjo gjykatë.
Presidentja Shiroka-Pula e kishte kthyer ligjin në Kuvend më 22 tetor, pas kërkesës së vetë PDK-së për rishqyrtim. Ndërsa Kuvendi pritet ta trajtojë sot çështjen, mbetet të shihet nëse do të sigurohen 61 votat e nevojshme për rimiratimin e tij.
Burimi: Dukagjini





