Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka folur sërish për Ligjin për Specialen, duke shprehur besimin se përmes dialogut dhe bashkëpunimit do të arrihet pajtueshmëria për ndryshimet.

Ajo ka nënvizuar rëndësinë e angazhimit të përbashkët institucional në mbrojtje të të drejtave të krerëve të UÇK-së dhe të së vërtetës së luftës çlirimtare.
“Ne jemi në bashkëbisedim dhe diskutime intensive me Lëvizjen Vetëvendosje, por edhe me subjekte të tjera politike në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Gjëja më e rëndësishme është që ka pajtueshmëri për përmbajtjen e ligjit, ndërkohë që tani kemi diskutime vetëm për procedurën.
Unë dua t’i siguroj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, mijëra të rinjtë që kanë protestuar në sheshin e Prishtinës, anekënd Kosovës e në diasporë, kudo që ka shqiptarë, se Partia Demokratike e Kosovës dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk kanë hequr dorë nga ligji. Përkundrazi.
Ligji është tani në procedurë të rregullt parlamentare, përmbajtja është pak a shumë e dakorduar, diskutimi është thjesht për procedurën. Unë jam e bindur që, nëse vazhdojmë me vullnetin politik që kemi demonstruar ditën kur e kemi miratuar ligjin, do të gjejmë zgjidhje dhe ligji do të miratohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha Çitaku.
E pyetur për takimet me përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje dhe qëndrimin aktual të këtij subjekti, Çitaku ka thënë se janë zhvilluar disa takime me zyrtarë të lartë të kësaj partie.
“Siç e thashë, kemi pasur jo një, por disa takime me zyrtarë të lartë dhe me përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje. Nuk kemi asnjë lloj dallimi për përmbajtjen e ligjit. Aty ku dallojmë është thjesht procedura, por jam e bindur që edhe në këtë pikë do të gjejmë pajtueshmëri.
Ne nuk kemi hequr dorë nga ligji, sikurse jemi të vetëdijshëm që miratimi i këtij ligji nuk e përmbush detyrimin që kemi si institucione për t’u dalë në mbrojtje krerëve të UÇK-së, që po mbahen padrejtësisht në Hagë.
Janë edhe një varg hapash që institucionet e Republikës së Kosovës, me koordinimin që po bëhet brenda grupit strategjik, do të ndërmarrin në mënyrë që e vërteta e luftës çlirimtare të triumfojë edhe në Gjykatën e Hagës”, u shpreh Çitaku për EO, transmeton Klankosova.tv
Duke komentuar qëndrimin e kryeministrit britanik për respektimin e mandatit të Dhomave të Specializuara, Çitaku ka thënë se iniciativa e PDK-së dhe ligji i miratuar më parë në Kuvend nuk duhet të interpretohen si ndërhyrje në procesin e drejtësisë.
Sa i përket qëndrimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila kishte shprehur kundërshtime ndaj ligjit gjatë votimit në Kuvend, Çitaku ka thënë se qëndrimi i kësaj partie kishte qenë i ndarë, por ka vlerësuar mbështetjen e saj për deklaratën politike dhe pjesëmarrjen në grupin strategjik. /Klankosova.tv




